Në prag të zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit, Spartak Braho, një nga themeluesit e Partisë Socialiste në Durrës, dhe një nga emrat më të rëndësishëm në politikbërje gjatë gjithë këtyre viteve, rrëfen në një intervistë ekskluzive për “DurrësLajm” disa nga momentet e krijimit të degës së kësaj partie në qytetin bregdetar.

I pyetur nëse ka qenë e vështirë jeta e tij politike dhe nëse ka ende beteja që i konsideron të hapura, z. Braho veçon vitet 1991-2000, si më të frytshmet, në kuptimin e intelektualëve që jepnin kontributin në parti dhe si vitet e përmbysjeve të mëdha.

Ai ndalet në emra konkret si Zyhni Beqiri, Miri Hoti, Bardhyl Agasi, Moikom Zeqo, Fatos Muço etj.

Këto emra sipas Brahos kanë pasur qëndrimin dhe sjelljen e një politikani, ndërsa thekson se një intelektual mund të bëhet një politikan i mirë, por jo e kundërta.

Spartak Braho kujton parlamentin e parë pluralist, në të cilin ka qenë edhe vetë pjesë, si shpërfaqjen e kësaj sjelljeje qytetare, në karriget e të cilës kanë qenë të ulur 42 profesorë nga të dy grupet e mëdha politike në vend.

E teksa afrohet në kohë tek emrat drejtues të kësaj partie në qytetin e Durrësit, por edhe emra jetëgjatë në pushtetin lokal si Vangjush Dako, i shpallur Non Grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit, zoti Braho, pyet retorikisht a ka më filozofë sot Partia Socialiste?!