Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri Luigi Soreca dhe Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së Monica Merino vizituan sot shkollën 9-vjeçare dhe kopshtin “Sherif Dervishi” në Budull të Bashkisë së Krujës.
119 nxënës, 27 fëmijë të kopshtit dhe 14 mësues e nisën vitin e ri akademik në shkollën e re të rindërtuar nga themelet falë Programit #BE për Shkollat. Shkolla e vjetër u shkatërrua tërësisht nga tërmeti i vitit 2019 që goditi Shqipërinë.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, tha:
“Është kënaqësi të shohësh se si përgjigja e shpejtë dhe efikase e BE-së ndaj procesit të rimëkëmbjes pas tërmetit po bëhet realitet në sektorin e arsimit në Shqipëri për të gjithë popullin shqiptar, qoftë në zonat rurale dhe në ato urbane. Së bashku me partnerin tonë zbatues, UNDP, kemi bërë të mundur ndërthurjen e sigurisë, gjithëpërfshirjes dhe të cilësisë në arsim përmes pjesëmarrjes dhe angazhimit të komunitetit vendas, në zbatim të plotë të parimit “Rindërtojmë së bashku”. Tashmë me rëndësi të lartë është garantimi i qëndrueshmërisë për këto shkolla të reja, përmes mirëmbajtjes së duhur dhe një kulture efikase të ruajtjes”.





