Rizgjimi i stinës, kundrejt pozitivitetit që sjell pranvera, mbart me vete edhe pasoja negative. 

Luhatjet e temperaturave, nga mëngjesi me ngrica në mesditën e ngrohtë, kanë shtuar rrezikun ndaj virozave dhe infeksioneve të ndryshme. 

“Mashtrimin” e ditëve me diell e vënë në dukje edhe mjekët, ku më të predispozuarit për t’u prekur janë moshat pediatrike. 

Mjeku pediatër Fatmir Shahini foli sot për “DurrësLajm” dhe theksoi se virozat janë gjithnjë prezente dhe mund të shoqërohen edhe me komplikacione më të rënda, si në rastet kur prekin sferën e zhvillimit të trurit. 

Është e vërtetë që jemi fiks në stinën e virozave dhe kryesisht janë ato virozat që lidhen me ndryshimin e klimës dhe ambientit dhe kapin ato që ne i quajmë rrugët e sipërme respiratore. Ato shoqërohen edhe me sëmundje të tjera, pasi ne kemi pasur dhe komplikacione të tjera, si çrregullimet që kapin sferën e zhvillimit të trurit, për shkak të temperaturave të larta”, thotë ndër të tjera mjeku. 

Teksa bën krahasimin me vitin që lamë pas, mjeku thotë se situata në SRD paraqitet përgjithësisht më e qetë dhe format e shfaqjes së virozave kanë qenë më të lehta.

Duhet të pranojmë se krahasuar me vitin e kaluar, kur edhe shenjat e Covid-19 janë në rënie, virozat tanimë janë jo shumë të shprehura.
Po ta krahasojmë me një apo dy vite më parë, nëse në ato ditë ne kishim mbi 90  apo 100-120 vizita ditore, të paktën këto javët e fundit ato janë nën 90.

Përveç kësaj edhe format nuk kanë qenë shumë të rënda, kryesisht kanë qenë format virale të zakonshme”, tregon z. Shahini. 

Mjeku pediatër shton se virozat janë të pashmangshme me ndërrimin e stinëve, ndaj kujdesi duhet të jetë më i madh në këtë moment. 

Për personat e ndjeshëm ndaj alergjive, që dihet se stinën e pranverës nuk e kanë shumë të favorshme, por edhe për fëmijët që tashmë kanë shfaqur shenja të prekjes nga virozat stinore, mjeku këshillon: 

Nuk duhen ekspozuar në ambientin e jashtëm, të përdorin paracetamolin, çajrat, të konsumojnë më shumë lëngje se në ditët e tjera”, këshillon mes të tjerash Shahini. 

Përhapja e virozave bëhet edhe më e shpeshtë për shkak të frekuentimit të ambienteve komunitare, si kopshte, çerdhe e shkolla, ndërsa më të prekurit janë moshat 1-5 vjeç.

Atje ku kemi kontaminimin më të madh janë çerdhet, kopshtet, sepse kemi një kontigjent më të madh, përshkak se fëmijët rrijnë bashkë dhe janë të predispozuar t’ua ngjisin njëri-tjetrit këto elementet viral dhe pastaj këto të pasohen në individë të ndryshëm në forma të ndryshme”, thotë pediatri.  

Rruga më e mirë që mjeku Shahini këshillon është konsultimi fillimisht me mjekun e familjes për çdo rast, si dhe veshja e fëmijëve në varësi të temperaturave.

Ky këshillim është i përjetshëm: Sapo të konstatohen shenjat e para të një viroze duhet të merren masa të izolohet rasti dhe më pas, nëse këto shenja acarohen, atëherë pas ditës së parë ose të dytë duhet marrë kontakti me mjekun e familjes, i cili është mjeku bazë që merr kontaktin e parë me të sëmurët.
Në rastet e avancuara të rënduara atëherë duhet drejtuar për në urgjencën e spitalit”, thotë ndër të tjera ai.

K.Gj