Lulzim Basha ka mbledhur këtë të shtunë grupin parlamentar për të diskutuar për situatën pas zgjedhjeve të 6 Marsit. Në fjalën para gazetarëve, Basha u ndal te rritja e çmimeve të naftës dhe produkteve ushqimore. Basha kërkoi që qeveria të hidhet në veprim dhe të dalë në mbrojtje të qytetarëve. Po ashtu ai u shpreh se pavarësisht situatës që po kalon PD, në asnjë moment nuk do ta harrojë detyrën para njerëzve për krizën që po kalojnë.
“Sot dua të vendos edhe një herë theksin te nevoja imediate për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve, që njerëzit të paguajnë më pak dhe që çmimet të mbahen nën kontroll nuk mjaftojnë fjalët as llafet boshe, por duhet hedhur në veprim. E lehtë t’ia vesh fajin autoritetit të Konkurrencës, e lehtë të bësh sikur po zihesh me ata që deri dje i ke pasur ortakë në krahë. Është momenti të veprosh. Ndërkohë që çmimi i naftës rritet, rriten të ardhurat e qeverisë. Them qeverisë sepse prej kohësh nuk janë më për qytetarët. Skandali i inceneratorëve tregoi që 430 mln Euro u përvetësuan nga një grusht qeveritarësh. Ndaj po ju them paraprakisht pavarësisht situatës së brendshme që po kalon PD subjekt i së cilës është mbledhja e sotme në procesin e reflektimit që kemi nisur, ne në asnjë moment nuk e harrojmë detyrën tonë para njerëzve dhe demokratët janë e do të jenë në krye të kësaj beteje për jetën e përditshme të qytetarëve, për krizën e tmerrshme që po kalojmë”, tha Basha.
Në fund, Basha u shpreh se një nga propozimet që do t’i parashtrojë “grupit parlamentar është që të kërkojë mocion me debat në parlament për të bënë para presionit maksimal qeverinë që të lerë llafet”.
Për çështjet e tjera, Basha tha se do të flasë pas mbledhjes.





