Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Agron Gjekmarkaj është shprehur se shkaktar për situatën në PD është Lulzim Basha dhe Sali Berisha.

Zgjidhja sipas tij për të bashkuar partinë është që të largohet zoti Basha dhe Berisha. Kështu, për Gjekmarkajn krijohet mundësia e negocimeve mes dy grupeve, asaj që mbështeti Bashën dhe Komisionit të Rithemelimit.

“Ju duhet të dorëhiqeni, por duhet ta bëni këtë duke ia kërkuar edhe Sali Berishës. Një komision i përbashkët me personalitete mes nesh dhe foltores të ngrihet për ta pajtuar partinë dhe çuar drejt zgjedhjes së liderit me garë! Sali Berisha mbase nuk e pranon po le ta mbajë ai barrën e refuzimit! PD është këtu prej Sali Berishës dhe prej jush ndaj ajo duhet ta gjejë zgjidhjen përtej të dyve. Edhe nëse Sali Berisha nuk e pranon këtë ju duhet të dorëhiqeni dhe ky grup parlamentar të gjejë zgjidhje politike e të menaxhojë partinë! Mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës unë zgjedh ju zoti Basha po kjo nuk mjafton më! Në fushatë ndjeva zemërimin dhe përbuzjen e njerëzve! Ajo duhet lexuar me përgjegjshmëri. Njerëzit kanë nevojë për një mit negativ për të justifikuar zemërimin e tyre. Kundërshtarët tuaj ia kanë dalë t’ ju shndërrojnë ju në një mit të tillë. Ndaj kjo pengesë duhet hequr. Kjo pengesë konsideroheni ju”, ka thënë Gjekmarkaj.