Më shumë se 33% e popullsisë në Shqipëri, afërisht 1 milion persona, janë të ekspozuar ndaj pasigurisë ushqimore, sipas përllogaritjes që bëri Njësia për Ushqimin dhe Bujqësinë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (FAO) në studimin “Siguria Ushqimore në Botë 2021” i publikuar së fundmi.
Shqipëria u rendit e para në Europë për numrin e madh të popullatës në pasiguri për ushqim, e krahasueshme vetëm më disa shtete të Afrikës.
Për shkak të kësaj brishtësie, popullsia e vendit tonë është e ekspozuar ndaj krizave globale, pasi pjesa kryesore e nevojave ushqimore vjetore plotësohen me import. Përcjellja e krizave globale bëhet edhe më e mprehtë, pasi qeveria nuk ka asnjë rezervë për të amortizuar situatën, ndërsa bizneset nuk mund të përballojnë kërkesën e lartë që po shfaqet nga paniku.
Profili i lartë i varfërisë e ekspozon edhe më tej popullatën ndaj panikut dhe spekulimeve. Menjëherë pasi nisi lufta, çmimi me pakicë i vajit u rrit me 40%, ai i miellit të paktën me 20% dhe çmimet e artikujve të tjerë industrialë, me 20-30%.
Nga frika se do të mbeten pa furnizime, popullsia në të gjithë vendin pa dallim statusi ekonomik po bën këto ditë blerje jo të zakonta, sidomos për artikujt e vajit dhe miellit, ku vendet në konflikt janë aktorë të rëndësishëm në eksportet globale.
Blerjet e panikut shpesh kanë krijuar një mjedis spekulues, pasi tregtarët kanë shitur me çmime të larta furnizime dhe rezerva që ishin blerë me çmime të ulëta. Por kërkesa e lartë nga tregu vendas, e kombinuar me ndryshimin e burimeve të furnizimit, çmimet më të larta të produkteve në tregjet ndërkombëtare dhe vlerësimin e valutave i kanë vënë në vështirësi importuesit.
Importuesit më të mëdhenj të ushqimeve dhe miellit në vend bënë thirrje për qetësim të situatës, pasi furnizimet në vend nuk do të mungojnë dhe çmimet globale të krijuara më së shumti nga paniku do të tkurren. Në një javë, çmimi i një toni grurë në bursa ra me rreth 26%, duke arritur në rreth 1070 USD, nga rreth 1400 USD më 5 mars.
Zinxhirët e mëdhenj të supermarketeve thanë se kanë rezerva të mjaftueshme për disa muaj dhe konsumatorët nuk duhet të frikësohen për mungesa në treg. Burimet zyrtare nga “Big Market” pohuan se, rezervat janë të mjaftueshme, pavarësisht se kërkesa është e lartë. Furnizimet janë të garantuara, por në disa artikuj, çmimet janë luhatur nga lufta, tha një nga menaxheret e “Big Market”.
Edhe rrjeti tjetër “Conad” po siguron normalisht ushqime nga Italia, të cilat nuk kanë reflektuar rritjen e çmimeve që ka krijuar lufta, por vetëm inflacionin vjetor që ishte pak më i lartë në këtë vit, për shkak të kërkesës pas pandemike, tha një nga menaxherët e rrjetit.
Zonja Eleni Babameto, e cila zotëron kompaninë “Teuta”, një nga importueset më të mëdha të ushqimeve në vend, tha se, pavarësisht situatës, vendi nuk do të mbetet pa furnizime. Ajo u shpreh se importuesit shqiptarë të ushqimeve kanë përvojë shumëvjeçare dhe janë elastikë për të gjetur burimet e furnizimit.
Mirëpo teksa importuesit garantojnë furnizimet, ata nuk mund të jenë garantues të çmimeve. Roland Hysi, i cili drejton një nga fabrikat më të mëdha të blojës në vend, “Miell Tirana”, pohoi se, të ardhurat që siguroi nga shitja e miellit mjaftojnë për të siguruar vetëm 70% të sasisë së grurit që duhet të blejë.
Blerjet nga paniku po e rëndojnë krizën e çmimeve
Kriza e vërtetë që ka krijuar lufta e Rusisë ndaj Ukrainës do të ishte më e lehtë, nëse qytetarët nuk do të bënin blerje në kushtet e panikut.
“Paniku po ndikon më keq se kriza që po krijon lufta” – tha Adi Haxhiymeri, një nga importuesit më të mëdhenj të grurit nga jashtë.
Sipas tij, qytetarët në të gjithë vendin kanë shfaqur një kërkesë jo të zakontë për miell. Një familje kërkon sasi për të mbuluar konsumin e një viti. Importuesit kanë rezerva, por kërkesa e lartë po ushtron presion.
Importuesit shqiptarë kanë lidhur kontrata me vende të tjera, duke zëvendësuar Rusinë dhe furnizimet janë të garantuara, por kërkesa jo e zakontë në Shqipëri e ka vënë tregun në presion. “Ne i kemi zhvendosur kontratat e furnizimit nga Rusia në vende të tjera si Hungaria, Franca etj.”, tha ai.
Kërkesa e lartë e shfaqur nga tregu vendas po i pengon importuesit të merren me gjetjen e tregjeve të reja. “Që kur nisi lufta, bashkë me stafin nuk po e përballojmë dot kërkesën e lartë nga furrat dhe njësitë e shitjes, ndërkohë që duhet të ishim duke kërkuar furnitorë të rinj në tregjet ndërkombëtare” – tha Roland Hysi nga “Miell Tirana”, importues i madh i grurit.
Në rajon, shitës potencialë të grurit janë edhe Rumania, Bullgaria dhe Franca, por importuesit shqiptarë janë duke synuar çmime të përballueshme.
Importuesit e grurit, me përvojë të gjatë në sigurimin e kontratave të importit të drithërave, thanë se, situata do të qetësohet në qershor, kur dalin edhe korrjet e reja. Qetësimi i panikut dhe furnizimi i tregut në prodhimin e ri do të ndikojë pozitivisht edhe te çmimet.
Blerjet e panikut ishin qetësuar pak, por ato u rindezën pas deklaratës së Kryeministrit, i cili tha më 8 mars se Europa është në luftë dhe qeveria nuk ka kontroll mbi çmimet. Ndikimi ka qenë i lartë në rrethe. G. Kapiti, një furnitor i shumicës me miell dhe ushqime, tha se, “pas deklaratës së Kryeministrit, njerëzit u dyndën në magazinë dhe gati morën me forcë miellin, edhe pse disa ditë më parë kishin kryer furnizime të shumta”.
Këto ditë, sipas tij, shitjet kanë qenë edhe më të larta se gjatë pandemisë kur frika e bllokimeve shkaktoi frikë te popullata. “Po furnizohemi rregullisht në Tiranë, por kërkesa është tejet e lartë”.
Blerjet e panikut nuk janë një fenomen shqiptar. Qeveritë në shtetet e tjera të Europës po mundohen t’i qetësojnë qytetarët dhe kanë aktivizuar hallkat e kontrollit të tregjeve, duke hequr TVSH-në për produktet e shportës dhe duke rritur mbështetjen për shtresat e varfra.
Supermarketet, situata nuk është shqetësuese sa gjatë pandemisë
Zinxhiri i supermaketeve “Conad” në Shqipëri pohon se për shkak të luftës, është rritur konsumi me rreth 10%, por kjo nuk krahasohet me periudhën e pandemisë, ku në fillim të marsit 2020, pati një kërkesë të madhe që erdhi nga bllokimet.
Edhe atëherë kur e gjithë bota u bllokua menjëherë, duke përfshirë edhe mjetet e transportit, furnizimet ishin të rregullta. “Tani situata është më e menaxhueshme. Ne po bëjmë furnizime të rregullta nga kompania mëmë në Itali dhe gjithashtu nuk kemi aplikuar çmime më të larta përveç rritjeve rutinë që ka krijuar inflacioni”, tha Marsejeza Papa, menaxhere në “Conad Albania”.
Me gjithë vështirësitë që ka krijuar lufta, menaxherët e supermarketeve pohojnë se konsumi është i përballueshëm dhe furnizimi ka vijuar normalisht. “Big Market”, një nga rrjetet më të mëdha me shtrirje në të gjithë vendin, pohoi se, situata është në kontroll dhe kërkesa më e shtuar për produkte po përmbushet pa problem.
Çmimet e produkteve të shportës, edhe para luftës, kishin shënuar rritje me rreth 20% në muajin mars, sipas të dhënave nga pikat e tregtimit me pakicë.
Bujqësia, sektori më i madh në ekonomi, por jemi importues neto të ushqimeve
Në vitin 2021, Shqipëria importoi 130 miliardë lekë (1,06 miliardë euro) ushqime nga jashtë për të plotësuar nevojat e konsumit të brendshëm.
Ndërsa eksportoi në të njëjtin vit vetëm 44 miliardë lekë (361 milionë euro) ushqime. Importet ishin tre herë më të larta se eksportet, duke bërë vendin tonë një importues neto të produkteve ushqimore, me varësi totale nga tregjet e jashtme.
Kjo varësi e lartë ndodh edhe pse sektori bujqësor është më i madh në ekonominë e vendit tonë me rreth 10% të PBB-së, niveli më i lartë në Europë. Në Ukrainë, e cila është ndër eksportuesit më të mëdhenj globalë me drithëra dhe ushqime të shportës, bujqësia zë vetëm 9% të ekonomisë.
Të dhënat tregojnë se ekonomia e vendit vuan nga produktiviteti i ulët. Shqipëria ka sektorin bujqësor me madhësi gati tre herë më të lartë se mesatarja rajonale, por nga ana tjetër, ka varësinë më të lartë në importe nga vendet e tjera të rajonit.
Edhe pse me një klimë të përshtatshme dhe burime ujore të favorshme për kulturat bujqësore, prodhimet shqiptare nuk janë konkurruese, pasi qeveria jep nivelin më të ulët të subvencioneve për sektorin, në krahasim me rajonin dhe Europën.
Për këtë arsye, dy dekadat e fundit, fermerët braktisën kultivimin e grurit dhe misrit, pasi kostoja e prodhimit ishte më e lartë se çmimi me pakicë i produkteve të importit në tregjet e pakicës.
Nga 130 miliardë lekë që ishin importet e ushqimeve në total në vitin 2021, mbi 12 miliardë lekë (10%) ishin importet e grurit.
Ushqimet, importet varësi të lartë nga tregjet e Rusisë dhe Serbisë
Shqipëria importoi 1,1 milionë tonë ushqime gjatë vitit të kaluar, 32% e kësaj sasie u importua nga Rusia dhe Serbia. Importet e ushqimeve në sasi, në një masë të madhe, mbizotërohen nga drithërat, të cilat dominojnë importet në sasi.
Në vitin 2021, mbi 19% e produkteve ushqimore erdhën nga Serbia, ku dominon gruri, vaji dhe qumështi, Rusia me 14% ku dominon gruri, Italia me 13%, Greqia me 10%, Kosova me 5%, Turqia me 5% dhe vende të tjera me 36%. Vitet e fundit, Shqipëria rriti intensitetin tregtar me Serbinë, për shkak të përmirësimit të marrëdhënieve politike mes dy vendeve.
Për shkak të çmimeve konkurruese, Serbia u bë burim i konsiderueshëm furnizimi për grurë, qumësht, vaj etj. Por nisur nga shqetësimet që ka krijuar lufta, qeveria e Serbisë pezulloi eksportin e produkteve ushqimore për një kohë të pacaktuar nga vendi për të rritur sigurinë ushqimore të popullatës. Importet nga Rusia janë bllokuar për shkak të sanksioneve ndërkombëtare dhe ato nga Ukraina, për shkak të avarive që ka krijuar lufta.
Përpjekje për të diversifikuar burimet e furnizimit
Importuesit shqiptarë të ushqimeve janë vënë në përpjekje për të ndryshuar burimet e furnizimit, sidomos për artikujt grurë dhe vaj, që vinin kryesisht nga vendet në konflikt. Adi Haxhiymeri tha se po bëhen përpjekje për të siguruar importet zëvendësuese nga Hungaria, Bullgaria, Polonia dhe Franca.
Importues të tjerë pohuan se, po tentohet të gjenden burime furnizimi me çmime të arsyeshme, pasi produkte në treg ka, por me çmime të larta. Eleni Babameto, nga kompania “Teuta”, pohoi se lufta ka krijuar probleme me zinxhirët e furnizimit, por “ne po tentojmë të gjejmë furnitorë të rinj, teksa çmimet janë më të larta”.
Ndryshimi i burimeve të furnizimit është bërë emergjencë për produktet e vajit dhe të miellit. Vendet e tjera si Bullgaria, Rumania dhe Franca ofrojnë produkte, por me çmime më të larta, ndërsa importet nga vende të largëta kanë kosto jashtëzakonisht të larta.
Qeveria e Shqipërisë nuk mban bilance të ushqimeve
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, janë importues neto të ushqimit. Shumica e vendeve në Ballkanin Perëndimor nuk e vlerësojnë shkallën e vetëmjaftueshmërisë ushqimore çdo vit, raportoi Rrjeti i Bashkëpunimit Rajonal në Sektorin e Bujqësisë (SWG) në një studim krahasues për kapacitetet e sektorit bujqësor të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor (Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Maqedoni e Veriut, Shqipëri, Mal i Zi dhe Kosovë).
SWG vlerëson se vetëm Serbia i ka detajuara dhe të përditësuara të dhënat për vetëmjaftueshmërinë ushqimore. Të dhënat tregojnë se në Ballkanin Perëndimor, vetëm Serbia ka vetëmjaftueshmeri në shumicën e produkteve bujqësore.
Shqipëria ka mjaftueshmëri në prodhimin e vezëve dhe domateve, dhe Maqedonia e Veriut në speca dhe domate. Bosnjë dhe Hercegovina është e vetëmjaftueshme me kumbulla, mjedra dhe trofta, mollë, dardha, ndërkohë që plotëson një pjesë të madhe të nevojave në qumësht, pula dhe dele.
Kosova ka vetëmjaftueshmëri vetëm me kumbulla dhe është rreth 80% e vetëmjaftueshme në produkte qumështi dhe disa lloje perimesh. Mali i Zi, si një vend turistik, nuk ka mjaftueshëm produkte ushqimore, përveç verës.
Rajoni ka larmishmëri në tërësi, ndaj dhe mungesa të caktuara mund të trajtohen përmes tregtisë ndërmjet vendeve ku Serbia aktualisht luan rolin e furnizuesit kryesor. Gjatë periudhës së karantinës, nga mars-maj 2020, tregjet shqiptare reaguan me rritjen më të lartë të çmimeve të ushqimeve, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit reflektuan me ulje.
Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën me shpejtësi me ritme 4-5% në mars-shtator 2020, nga rreth 2% që ishin ritmet vjetore të rritjes në muajt e parë të vitit 2020, janar dhe shkurt.
Studimi tregon se shqiptarët ishin më të ekspozuar ndaj panikut gjatë pandemisë, pasi bënë blerje jo të zakonta gjatë fillimit të karantinës, gjë që ndikoi në rritjen e çmimeve, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, të cilat treguan më shumë maturi.
Në Bosnjë-Hercegovinë, rregullatorët kufizuan marzhet e çmimeve për produktet ushqimore me kushtin që çmimet e ushqimeve të mund të rriteshin vetëm nëse kostoja e blerjes rritej.
Kosova kishte çmimet më të qëndrueshme në periudhën nga marsi deri në shtator 2020. Megjithatë, edhe atje, çmimet e ushqimeve u rritën nga 1 deri në 3% (në varësi të muajve) gjatë pandemisë, krahasuar me 2019-n.
Çmimet e ushqimeve të shportës, rritje 20-40%
Çmimet e produkteve të shportës u rritën 20-40%, që kur Rusia sulmoi Ukrainën. Më shumë rritje shënoi çmimi i miellit dhe nënproduktet e tij me mbi 20% dhe vaji me 40%.
Çmimet e artikujve të shportës kishin tendencë rritje edhe para luftës, për shkak të kostove të larta të transportit dhe prodhimit që krijuan çmimet e larta të energjisë.
Çmimi i bukës masive në disa furra të Tiranës, sipas konstatimeve në terren është rritur 25%. Buka masive e bardhë dhe e zezë nga 80 lekë, po shitet 100 lekë.
Kryetari i Shoqatës së Bukës, Brumërave dhe Pastiçerive, Gëzim Peshkopia, tha për “Monitor” se nga furrat e bukës mielli po blihet me çmim 85 lekë/kg nga 45-50 lekë/kg që shitej më parë. Sipas të dhënave të INSTAT, në muajin shkurt 2022 inflacioni arriti nivelin 3.9%, duke shënuar një rekord të ri për më shumë se një dekadë.
Rritja e inflacionit është gjithnjë e më e përqendruar te produktet ushqimore, energjetike dhe shërbimet e transportit, duke pasqyruar shtrenjtimin e ndjeshëm të këtyre produkteve në tregjet ndërkombëtare. 86% e inflacionit agregat për muajin shkurt erdhi nga tre grupet e mësipërme. Inflacioni i grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” në shkurt arriti në 6.9%, duke vijuar tendencën e rritjes së shpejtë që po regjistron në muajt e fundit.
Një vit më parë, inflacioni i ushqimeve ishte vetëm 3.2%, çka tregon qartë ritmet e larta të shtrenjtimit të këtyre produkteve. Sipas INSTAT, produktet që janë shtrenjtuar më shumë krahasuar me një vit më parë janë ato të nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet”, me 16.4%, ndjekur nga nëngrupet “vajra dhe yndyra” me 10.1%, “fruta” me 7%, “bukë dhe drithëra” me 6.8%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 6.7%, “mish” me 3.9%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3.3%.
Për Europën, Ukraina është furnizuesi kryesor i shportës së ushqimeve. Vendi nën pushtim është një nga dhjetë prodhuesit kryesorë botërorë të disa kulturave të tilla si gruri dhe misri. Ukraina është prodhuesi më i madh në botë i vajit të lulediellit, një prodhues i madh global i drithërave dhe sheqerit, dhe lojtar global në tregjet e mishit dhe të qumështit.
Është gjithashtu një nga prodhuesit më të mëdhenj të arrorëve, mjaltë natyral, etj. Pesha e Ukrainës në furnizimin me ushqime të Europës është shumë e lartë, ndaj zgjatja e konfliktit do të sjellë vështirësi në tregjet europiane, ose në rastin më të mirë, do të rrisë çmimin e artikujve bazë të shportës pasi Europa do të përpiqet të gjejë burime të reja për furnizime në kontinente më të largëta dhe kjo do të rrisë koston.
Shqipëria, 2,7% të tregtisë me zonat në konflikt
Gjatë vitit 2021, Shqipëria realizoi 2.7% të tregtisë së jashtme me zonat në konflikt, Rusi dhe Ukrainë. Volumi tregtar i Shqipërisë arriti 701 miliardë lekë, ndërsa me Rusinë dhe Ukrainën, tregtia në vlerë ishte 19 miliardë lekë, ose 2.7% të totalit.
Volumi tregtar me dy vendet dominohet nga importet e mallrave prej këtyre vendeve. Më 2021, Shqipëria importoi nga Rusia dhe Ukraina 19 miliardë lekë mallra, që përbën 99.5% të volumit tregtar dhe pjesa tjetër, 0.5%, përfaqësohet nga eksportet shqiptare në këto vende, kryesisht prodhime bujqësore.
Pavarësisht se volumi tregtar në këto vende është i ulët, Shqipëria ka varësi të lartë në importin e lëndëve jetike, si drithërat dhe nafta ruse. Nga këto vende importojmë 50% të sasive vjetore të drithërave dhe 12% të naftës.
Po varësia indirekte nga tregjet e Ukrainës dhe Rusisë është më e lartë. Ukraina është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh në botë i drithërave dhe vajit të lulediellit, të cilat grosistët shqiptarë i blejnë të përpunuara nga vende të tjera, kryesisht Italia.
86% e drithërave vinin nga vendet që kanë bllokuar eksportet
Të dhënat nga doganat tregojnë se në vitin 2021 u importuan gjithsej 326 mijë tonë drithëra, 50% e të cilave ishin furnizime nga zonat në konflikt.
Shqipëria importoi 46% të drithërave nga Rusia gjatë vitit 2021, 36% nga Serbia, 4% nga Franca dhe 3% nga Ukraina. Burimet e importit të drithërave dominohen nga Rusia, Ukraina dhe Serbia në 86% të totalit të nevojës për konsum.
Grosistët po mundohen të gjejnë burime të reja furnizimi si nga Franca, Argjentina, Rumania etj. Ata thonë se mundësia për të mos pasur furnizime është shumë e ulët, por se çmimi i importeve të reja do të jetë më i lartë.
Rusia është furnizuesi më i madh në botë i grurit dhe, së bashku me Ukrainën, përbën gati një të katërtën e totalit të eksporteve globale. Në vende si Egjipti dhe Turqia, drithërat ruse plotësojnë 70% të nevojave vendase.
Konsumi vjetor, 400 mijë tonë grurë, vetëm 12% prodhim vendas
Operatorët e mëdhenj të tregut të miellit në vend pohojnë se konsumi vjetor i grurit në Shqipëri është 400 mijë tonë nga të cilat, rreth 350 mijë tonë janë importe dhe pjesa tjetër, rreth 50 mijë tonë prodhim vendas. Por në statistikat zyrtare shikohet dhe se pjesa e prodhimit të drithërave është shumë e fryrë, ndërkohë që realiteti është krejt tjetër.
Sipas INSTAT, në vitin 2020, Shqipëria prodhoi 684 mijë tonë drithëra, gati dyfishi i sasisë së importuar. Të dhënat e INSTAT tregojnë se importet e drithërave në vitin 2020 ishin 364 mijë tonë, ndërsa prodhimi vendas i drithërave ishte 684 mijë tonë.
Po sipas INSTAT, nga prodhimi vendas, 399 mijë tonë ishin misër dhe 233 mijë tonë ishin grurë. Importuesit i hodhën poshtë shifrat e INSTAT. Sipas tyre, nëse prodhimi në vend është në nivelet e raportuara nga INSTAT, Shqipëria do të ishte në gjendje të amortizonte goditjet nga jashtë.
Adi Haxhiymeri tha se qeveria duhet të përmirësojë me urgjencë të dhënat për bujqësinë. Ne jemi nga të paktat vende në Europë që nuk kemi statistika të qarta për bujqësinë, nuk i përllogarisim kostot në bujqësi dhe mjaftueshmërinë ushqimore, duke e lënë sektorin më të madh në ekonomi të zhvillohet pas asnjë orientim./monitor