NGA BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Ishte fundviti 2021, kur vjen të më takojë Flamur Jakupi. Kishte ardhur enkas nga Italia për të biseduar diçka, që e ngacmonte si merak prej shumë kohësh. Flamuri, pompist nga zanati, i dalluar në artin amator kur ishte klubi i famshëm i Portit Detar. I prirur për masovik, por edhe si një artist i skenës, falë punës dhe aftësive të tij, pas transferimit të Bardhyl Agasit, bëhet punonjës i pallatit “Rinia”. Durrësi ishte me fat, pasi ushtronin veprimtarinë e tyre dy institucione të mirfillta kultutore artistike: Teatri “A. Moisiu” dhe Pallati i Kulturës, si dhe pallati i kulturës “Rinia”. Ky i fundit, i destinuar të mbështeste lëvizjen e fuqishme amatore të qendrave të punës dhe prodhimit dhe të kthehej në qendër metodike për rritjen cilësore.

Pallati “Rinia” nisi veprimtarinë në vitin 1968 dhe e ndërpreu atë në fillim të viteve 90-të. Por emri që la, fama që krijoi, është pjesë e historisë së zhvillimit sasior dhe cilësor të artit dhe kulturës durrsake. Pa e ditur asnjë nga ne, Flamur Jakupi gjatë punës në këtë pallat, me detyrën e organizatorit të veprimtarive masive, kishte ruajtur në arkivën e tij 80 foto. Ato prezantojnë pamje emocionuese, duke ngacmuar mallin dhe sentimentin, ku një brez të rinjsh dhe më të mëdhenj nga ato, mbanin peshën dhe ngarkesën e pazakontë të veprimtarive kulturoro artistike.

Këtij brezi të tanishëm, i duket paradoksale se ka ndodhur një gjë e tillë. Mund të ishe edhe kuadër, punëtor po se po dhe të luaje një rol në teatër, që të këndoje një këngë, apo të ishe pjesë e ndonjë skeçi të humorit. Pallati “Rinia” jo vetëm nga kuadri drejtues, por nga përgjegjësit e muzikës, të regjisurës dhe masovikut, ishin në një stad të lartë të formimit kulturor dhe profesional. Ato ishin pjesë e artë, e investimit kulturor qytetar të Durrësit dhe mbetën mburrja e tij.

Flamur Jakupi me këtë synim, duke patur në çantën e tij 80 pamje magjike të punës në këtë pallat, la Italinë dhe ndau mendimin që kishte me ne. Ai donte të hapte një ekspozitë, që të shërbente si kujtesë për brezin e ri, që të dinte dhe të ndjente peshën e krenarisë ndaj një tradite të hershme, ku kultura dhe arti durrsak kishin zhvillime. Dua të bëj një kompromis me lexuesin pasionant dhe të kulturuar të këtyre rradhëve.

Në çdo kohë bëhen politika. Dje ka patur sistem politik njëpartiak, e sot shumëpartiak. Por këto rradhë, dua t’i zhvesh plotësisht nga këto paragjykime. Kam në fokus dhe në epiqendër të pozicionimit tim, angazhimin dhe përpjekjet e jashtëzakonshme të amatorëve durrsakë, që falë mbështetjes së profesionistëve me emër, kompozitorë, regjisorë, drejtorë, mjeshtra të skenës dhe impjanteve fonike, instrumentistëve bënë artin e fuqishëm të një populli.

Dhe këtë qëllim dhe dëshirë të Flamurit, e mbështetëm një grup njerëzish. Ndër to edhe Aurel Kaçulini, që i dha okej-in financiar, që këto foto të riprodhoheshin dhe të ekspozoheshin me një format më të madh. Erdhi 18 marsi i vitit 2022, që synimi dhe dëshira jo vetëm e Flamur Jakupit, të bëhej realitet. Në qendër të Durrësit, janë 80 foto që flasin me heshtjen e tyre. Por personazhet brenda tyre lëvizin dhe së bashku me to edhe memoria e jonë. Pamje që të lotojnë nga shkalla e mbresave dhe kujtimeve. Skena e pallatit “Rinia” ishte e pamatshme, sepse kështu ishte pjesmarrja e jashtëzakonshme e artistëve amatorë, që lëvronin të gjitha gjinitë, teatrin, estradën, anketat muzikore, këngën, recitimin, vallen, solistin e gjithçka që lidhej me artin dhe kulturën.

“Kujtesë”! Dashamir Gjati, Naim Nova dhe Bujar Qesja mbajtën peshën historike të traditës së vyer të arritjeve të pallatit “Rinia”. Kujtesa vjen e përplaset, duke çarë cipën e memories, kur mendon se çfarë emrash drejtuan muzikën. Ishte Agron Xhunga krijues i Anketës Muzikore. E regjisor i parë i saj, i mirnjohuri Fadil Hasa. Me muzikën punuan gjithashtu Hajg Zaharian, Maksim Shehu dhe më i fundit kompozitori aktiv Ylli Ramzoti. Këto punuan me zërat e rinj, duke evidentuar interpretues të tillë si Zija Saraçi, Rajmonda Kamberi, Miga Hysi, Jolanda Dhamo, Namik Sadiku, Fatmir Shyti, Ylli Çifti, Ramadan Muhameti, Valentina Gjoni, Petrit Dobjani, Teodora Mërtiri, Dhimitër Stefa, Lorenc Barometa, Sotir Telo, Isuf Gilani, Reshit Gjini, Alma Kume, e plot e plot të tjerë.

Pjesë aktive e regjisurës, ishin mjeshtra të tillë si Gjergj Vlashi, Panajot Kolo, Haxhi Rama, Milto Profi, Enver Plaku, duke nxitur dhe ngritur në stad të avancuar edhe regjisurën amatore. Por ky pallat, nuk mund të bënte emër pa angazhimin e madh të mjeshtrave të muzikës nëpër ndërmarrje, që ishin edhe krijues. Superlativa rezervojmë për Todi Kutinën, për vëllezërit Myshketa Skënderin, Petritin dhe Shpëtimin, Isuf Xhumrin, Koçi Drizën, Kujtim Turkun, Sulejman Shehun etj. Ndërsa ende ruhet dhe më tej zor se zbehet, kujtimi i aktorëve Muharrem Hoxha, Gani Kalaja, Myftar Kurti, Ilia Afezolli, Adem Gjepali, Dashamir Sinani, Vera Xhemali, Alma Kushi, Bukuria Lila, Skënder Digli, Bujar Toska etj.

Pallati “Rinia” ishte si një koshere bletësh, ku lëvizja e fuqishme artistike amatore prodhonte mjaltin e saj. Pak punonjës, shumë punë. Fotot që sjell Flamur Jakupi janë histori e pa cënuar. Ky është një thesar, që i lihet trashigim brezave. Dhe nga pallati “Rinia”, kalohej si një trampolinë në skenën profesionistë të “Aleksandër Moisiut”. Që nga drejtuesit ndodhi kjo. Bardhyl Agasi masovik, Naim Nova dhe Bujar Qesja drejtorë të pallatit “Rinia”, u bënë në vite drejtues të teatrit “A. Mosiu”. Po kështu këngëtarët Zija Saraçi, Valentina Gjoni, Petrit Dobjani, Miga Gysi, Jolanda Dhamo, Lorenc Barometa, Dhimitër Stefa, Engjellushe Lazo etj. u bënë pjesë të estradës profesioniste të qytetit, madje disa prej tyre kënduan edhe në festivalet kombëtare të këngës.

Ngjarje, jetë, dukuri, personazhe. Këto janë në qendër të 80 fotove, që Flamur Jakupi i kishte ruajtur me kujdes në arkën e fortë të kujtesës dhe me 18 mars 2022 i publikoi. Na ringjalli nga pak të gjithëve. Bëhet fjalë për disa breza, pasi janë pjesë jetësore e tyre. Mund të kem lënë pa përmëndur dhe sigurisht pa qëllim. Ajo që më ngacmoi tjetër qëllim, është kujtesa e kësaj ekspozite “Kujtesë”. Kujtesë për të larguarit nga jeta, ato që jetojnë, por duke vazhduar që një pjesë të jetë edhe aktive, duke mos i dorëzuar “armët” e përpjekjeve në ndihmë të artit dhe kulturës durrsake.

U takuam njëri me tjetrin. Të thinjur, disa me bastun, disa më vështirësi shëndetësore. Por të gjithë u bëmë shumë të rinj, teksa kujtuam me këtë “Kujtesë” atë angazhim kolosal, atë përkushtim të tejskajshëm, atë pasion që ushqehej nga zelli madh për punën. Fonia e Milto Drizës, mjeshtër që vinte nga Fllota Tregtare, ishte në konkurencë kombëtare. Është edhe meritë e tij, që vlerat e demostruara të artit amator, përcilleshin me shumë nivel dhe kualitetet tek shikuesit. Dhe kapitull i veçantë i ngarkesës që kalohej, i takon edhe Flamur Jakupit. Masovik i një niveli përfaqësues, duke ia rritur vlerën kualitative veprimtarive itensive të pallatit “Rinia”.

Ekspozita të tilla kanë vlerë. Kanë vlerë edhe se u mbështetën nga Qendra Kulturore e Qytetit, me drejtor Elio Bajramaj dhe aktivistin e paepur të kulturës Julian Shytaj. Kanë vlerë edhe për faktin se përcjellin mesazh, atë mesazh që duhet të na bëj krenarë. Tregohet me këtë rast se kultura durrsake ka shtrat, ka themel, katet e së cilës u përpoqën fort t’i ngrinte edhe puna kolosale, e kryer nga punonjësit dhe amatorët e pallatit “Rinia” të Durrësit.

Mirënjohje Flamur Jakupit, që tregoi se ka qenë dhe mbetet flamur i fortë në angazhimin e artit amator!
Mirënjohje të gjithë forcave krijuese dhe ekzekutuese, që me talentin e tyre bënë historinë më të bukur të artit të tyre, duke kryer njëkohësisht edhe një investim shpirtëror në rritjen e entuziamit të njerëzve!
Historitë e çmuara që i shërbejnë qytetit, gjithnjë meritojnë të tilla kujtesa.

Durrës: 20 mars 2022