Një numër i madh pulash të ngordhura nga gripi i shpendëve në Durrës, vijojnë të qëndrojnë të grumbulluara në ambientet e jashtme të pularive, duke u shndërruar në një rrezik të përhapjes së mëtejshme të virusit.

Groposja e pulave që dergjen prej ditësh në oborrin e njërës prej pularive të Durrësit nuk ka ndodhur ende, sepse bashkia e qytetit bregdetar, në përgjigjen që i ka dërguar Ministrisë së Bujqësisë ka sqaruar se nuk ka terren të përshtatshëm që të plotësojë kushtet ligjore për groposjen e pulave të prekura nga gripi i shpendëve.

“Bashkia e Durrësit i ka kthyer përgjigje Ministrisë së Bujqësisë ku i bën të ditur se nuk kanë asnjë terren të tillë që të plotësojë kushtet ligjore për groposjen e shpendëve me virus. Bashkia e Durrësit nuk ka vend depozitim për të bërë groposjen që të plotësojë kushtet e posaçme ligjore. Këto vende duhet të kenë kritere të posaçme, përfshirë një terreni larg qendrave të banuara, pasi bëhet fjalë për virus dhe rrezikohet popullata edhe për shkak të ujërave nëntokësorë”, thanë burime zyrtare të bashkisë për “DurrësLajm”.

Gjithashtu, bashkia sugjeron që këto pula të ngordhura nga gripi i shpendëve të asgjësohen në vende të licensuara, duke u djegur.

Sipas veterinerëve, në raste të tilla kur kemi ngordhje në masë të shpendëve, duhet që ato të groposen sa më thellë nën tokë, për të mos i dhënë mundësi virusit të përhapet.

Shqetësimi për groposjen e pulave është ngritur dy ditët e fundit, menjëherë pasi Ministria e Bujqësisë bëri publik lajmin se është konstatuar rasti i parë i prekur nga gripi i shpendëve. Po ndërkohë, ngordhje masive pulash ka ndodhur edhe ditët e kaluara për shkak të sëmundjes që ministria e prezantoi si laringotrakeit. Për asnjë nga këto raste, Ministria, por edhe Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve nuk ka dhënë asnjë sqarim se ku janë groposur mijëra pulat e ngordhura duke nisur nga 28 shkurti e deri në mesin e muajit mars.