Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka inspektuar qendrën e re shëndetësore Dritas, në zonën e Zall-Herrit, e rindërtuar në kuadër të programit kombëtar të 300 qendrave shëndetësore.

Duke parë ecurinë e procesit të vaksinimit në këtë qendër shëndetësore, Ministrja Manastirliu vuri theksin tek vijimi i procesit të vaksinimit antiCOVID, si e vetmja rrugë në mbrojtje të shëndetit, teksa bëri me dije intensifikimin e këtij procesi derë më derë për vaksinimin e çdo qytetari.

“Kemi vendsour me Komitetin Teknik të Ekspertëve që të kemi një rivlerësim mbi baza periodike të procesit të vaksinimit tek të rinjtë dhe në zona të caktuara, për të pasur edhe një plan të mirëfilltë derë më derë, tashmë edhe me zona ku ka një qasje më sfiduese ndaj këtij procesi, për të rritur mbulesën vaksinale. Sepse e dimë shumë mirë që vaksinimi është një sfidë në vetvete. Nuk është një proces i lehtë që mund të bëhet thjesht me një apel publik, por duhet shkuar derë më derë. Duhet bindur çdo qytetar për rëndësinë e vaksinimit”, theksoi Manastirliu.

Duke u shprehur se situata po monitorohet në dinamikë, Manastirliu tha se po vlerësohen mostrat për identifikimin e variantit të ri të Omicron, BA.2.

“Një nënvariant i Omicron BA.2 është duke qarkulluar në vende të ndryshme, kryesisht vendet europiane, ku ka një tendencë sot në rritje të rasteve të infektimeve, sepse ka një transmetueshmëri shumë të lartë. Ajo çfarë po vërehet është që gjithashtu vaksinimi, sidomos doza e tretë, ndihmon në reduktimin e rasteve të rënda dhe uljen e hospitalizimeve dhe tek fatalitetet. Aktualisht në Shqipëri nuk kemi ende raste të konfirmuara. Por sigurisht ne jemi duke vijuar nëpërmjet survejancës tonë aktive dhe duke vlerësuar mostrat të cilat vijnë në ISHP, për t’i çuar në laboratorët e referencës”, -tha Manastirliu.

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino apeloi për rëndësinë e vaksinimit anticovid, si mbrojtje për të gjitha variantet e Covid-19.

“Kemi dërguar mostrat nëpërmjet Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve Europiane në laboratorët e referencës në Gjermani dhe po presim përgjigjiet. brenda 10 ditëve përgjigjia vjen dhe ne do të kemi një rikonfirmim të dyshimeve apo të varianteve që ne shikojmë të qarkullojnë. Ajo që doja të theksoja është që vaksinimi vlen për të gjithë variantet”, tha Bino.

Duke shprehur garancinë për sigurimin në vazhdimësi të vaksinave anticovid falas për qytetarët, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apeloi për vaksinimin antiCOVID pranë qendrave shëndetësore.
Deri tani në vendin tonë kanë kanë mbërritur mbi 3.1 milion doza vaksine janë kryer 2,758,613 doza.

Mbulesa vaksinale me dozë të parë për popullatën target (+16 vjeç) në Shqipëri është rreth 55%. Brenda këtij viti pritet të mbërrijnë 1 milion doza të vaksinës Pfizer si dhe do të vijojë furnizimi me vaksina edhe përmes instrumentit COVAX./