Rritja e normës bazë të interesit nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë është reflektuar në një rritje të fortë të yield-eve të Bonove të Thesarit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në ankandin e ditës së martë, bonot 12-mujore u shitën me një yield mesatar të ponderuar prej 2.19%, nga 1.79% që kishte qenë ky tregues në ankandin e mëparshëm. Që nga fillimi i muajit mars, yield-et e Bonove 12 mujore në tregun primar janë rritur me 0.57 pikë përqindje ose rreth 35%. Rritja kryesore ka ardhur në ankandin e kësaj jave dhe ndryshimi normës bazë të interesit duket se ka dhënë efektin kryesor në të.

Megjithatë, rritja e interesave po ndikohet edhe nga tkurrje e likuiditetit në treg dhe një kërkesë më e pakët në ankande. Edhe në ankandin e kësaj jave u vërejt një kërkesë e kufizuar e investitorëve, që solli për të tretin ankand radhazi mosplotësimin e shumës së kërkuar për financim nga Ministria e Financave. Nga 9.7 lekë që ishte shuma e shpallur për financim, në ankand u paraqitën kërkesa totale në shumën e 8.5 miliardë lekëve, ndërsa Ministria e Financave pranoi oferta për më pak se 8 miliardë lekë.

Që para rritjes së normës bazë, Banka e Shqipërisë kishte ndërmarrë një hap tjetër në drejtim të normalizimit monetar, duke rikthyer formën klasike të ankandeve të të Marrëveshjeve të Anasjellta të Riblerjes, që janë edhe instrumenti kryesor i injektimit të likuiditetit në tregun bankar. Që prej 1 janarit 2022, ankandi i REPO-ve zhvillohet me shumë të fiksuar, ndërkohë që gjatë dy viteve të mëparshme ishte adoptuar formula e ankandit me çmim uniform, që mundësonte akses të pakufizuar në likuiditet për bankat tregtare. Ky ndryshim është reflektuar në rënie të huasë së dhënë nga Banka e Shqipërisë për bankat e nivelit të dytë në muajt e parë të këtij viti.

Tregu primar i letrave me vlerë të qeverisë zakonisht është hallka ku ndryshimet në normën bazë të interesit reflektohen më shpejt, sepse yield-et e bonove përgjithësisht janë treguesi referues apo benchmark për produktet financiare në lekë. Rritja e yield-eve të tyre ndikon edhe në normat e interesit për huatë që i jepen sektorit privat. Zakonisht, kreditë afatgjata në lekë kuotohen bazuar mbi një tregues referues, zakonisht Bono Thesari, duke shtuar një marzh fiks interesi. Me rritjen e yield-eve të bonove, edhe interesi total i kredisë rritet, duke sjellë këste më të larta në rivlerësimin e trye periodik.

Megjithatë, përtej ndikimit direkt që do të japë rritja e treguesit referues, bankat gradualisht kanë nisur të reflektojnë kushtet e reja monetare, duke rritur edhe marzhet e apo normën fikse të interesit për shumicën e produkteve. Burime nga tregu bëjnë të ditur se banka të veçanta kanë nisur tashmë të rrisin edhe marzhet fikse mbi kreditë afatgjata. Kjo rritje nuk lidhet vetëm me vendimin e javës së kaluar për të rritur normën bazë, por mbështetet mbi pritshmëri të qarta për rritjen e normave të interesit, në të gjitha monedhat. Këto pritshmëri janë forcuar ndjeshëm muajin e fundit, pas sulmit ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën, që ka rritur pasigurinë dhe ka shtuar presionet inflacioniste në tregjet e mallrave.

Javën e kaluar, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të rrisë normën bazë të interesit nga 0.5% në 1%. Kjo ishte lëvizja e parë në rritje të normës bazë pas 11 vjetësh, duke shënuar kështu një pikë kthese në kursin e politikës monetare.

Këshilli Mbikëqyrës ka konstatuar se rritja e çmimeve në tregjet botërore do të shoqërohet me norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike krahasuar me projeksionet e mëparshme. Sipas skenarit bazë të parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, inflacioni do të luhatet rreth nivelit 5-6% për pjesën e mbetur të vitit 2022. /Monitor