Rritja e kostove të prodhimit dhe e lëndëve të para ka krijuar vështirësi të shumta për bizneset, sidomos muajt e fundit, kur efektet e luftës në Ukrainë kanë tronditur tregjet dhe bursat. Industritë më të prekura janë ndërtimi, fasonët, bizneset prodhuese etj. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Alban Isteri, shprehet për “DurrësLajm” se krahas rritjes së kostove të prodhimit, shqetësim i madh për biznesin mbetet ulja e fuqisë blerëse.

“Janë rritur kostot në mënyrë të frikshme, sepse ka luhatje të çmimeve të lëndëve të para. Ka luhatje të çmimeve siç janë karburanti, gazi, ka luhatje të çmimit të transportit, për rrjedhojë ka luhatje të çmimeve në të gjithë sektorët. Fatkeqësisht nga parashikimet që bëhen nga ekspertët në nivel botërorë, kjo mendohet se mund të zgjasi deri në fund të vitit 2023”, u shpreh Isteri.

Efektet e para të vështirësive ekonomike të bizneseve mund të jenë shkurtimet e vendeve të punës, çka nënkupton një ulje e mëtejshme e fuqisë blerëse, për shkak të rritjes së numrit të të papunëve. Por nuk përjashtohen edhe falimentimet e disa bizneseve, kryesisht atyre të vogla, apo të pakonsoliduara mirë.

Duke u ndalur tek problematikat e peshkimit, kreu i Dhomës së Tregtisë rekomandon ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë, për të nxjerrë nga kolapsi flotën e këtij sektori.

Në ndryshim nga qeveria e Kosovës, e cila këto ditë miratoi një paketë financiare për rritjen e konsumit, ndërsa sot rriti pagën minimale, qeveria Rama ka akorduar vetëm një shtesë prej 3000 lekësh për disa kategori në nevojë për 3 muaj, si dhe ka indeksuar pensionet me 3.3%.

M.B.