Të dhënat nga INSTAT tregojnë se importet për disa artikuj të tillë si çeliku, vaji kanë pësuar zgjerim si në vlerë dhe në sasi, duke bërë që pesha e importeve nga Rusia te rritet në totalin e importeve.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në janar -mars 2022 importet ruse në vlerë shënuan 3.6 miliardë lekë me një rritje 68% në krahasim me një vit më parë. Në janar-mars 2022 importet nga Rusia zunë 3 për qind të totalit të importeve në vlerë nga 2 për qind në të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Për të gjithë tremujorin e parë 2022 u importuan nga Rusia 44 mijë tonë mallra me rënie vjetore 14 për qind. Por vlera e tyre ishte më e lartë në krahasim me vitin e kaluar për shkak të rritjes së çmimeve.
Në tremujorin e parë 2021 Shqipëria kishte zero eksporte në Rusi ndërsa në të njëjtën periudhe të vitit 2022 u eksportuan 2 milionë lekë mallra, një vlerë tejet modeste.
Importet e naftës nga Rusia ndaluan pothuajse totalisht nga Rusia në tremujorin e parë duke pësuar rënie me 97 %. Sipas të dhënave të INSTAT importet e lëndëve djegëse (nafta dhe gazi) nga Rusia ishin vetëm 2800 tonë në tremujorin e parë 2022 nga 22 mijë tonë që ishin në të njëjtën periudhe të një viti më parë. Importet e këtyre produkteve shënuan rënie vjetore me 87 për qind. Vitin e kaluar importet naftës dhe gazit Rus zinin 12 % të importeve totale të këtij grupi.
Në krahun tjetër importet e çelikut rus drejt vendit tonë u rritën me ritme të larta gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga INSTAT në tremujorin e patë u importuan 11 mijë tonë hekur, nga vetëm 1500 tonë vitin e kaluar me një rritur mbi 600%, ndërsa importet e vajit pësuan një rritje të shpejtë. Në -tremujorin e parë u importuan nga Rusia rreth 2400 tonë vaj nga 641 tonë në tremujorin e parë të vitit 2021 me një rritje 273 për qind.
Gjatë vitit 2021, Shqipëria realizoi 2.7% të tregtisë së jashtme me zonat në konflikt, Rusi dhe Ukrainë. Volumi tregtar i Shqipërisë arriti 701 miliardë lekë, ndërsa me Rusinë dhe Ukrainën, tregtia në vlerë ishte 19 miliardë lekë, ose 2.7% të totalit.
Volumi tregtar dominohet nga importet e mallrave prej këtyre dy vendeve. Në vitin 2021, Shqipëria importoi nga Rusia dhe Ukraina 19 miliardë lekë mallra, që përbën 99.5% të volumit tregtar dhe pjesa tjetër, 0.5%, përfaqësohet nga eksportet shqiptare në këto vende, kryesisht prodhime bujqësore.
Pavarësisht se volumi tregtar në këto vende është i ulët, Shqipëria ka varësi të lartë në importin e lëndëve jetike, si drithërat dhe nafta nga Rusia. Nga këto vende importojmë 50% të sasive vjetore të drithërave dhe 12% të naftës.
Por varësia indirekte nga tregjet e Ukrainës dhe Rusisë është më e lartë. Ukraina është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh në botë i drithërave dhe vajit të lulediellit, të cilat grosistët shqiptarë i blejnë të përpunuara nga vende të tjera, kryesisht Italia./Monitor
Burimi: INSTAT