Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka njoftuar se për shkak të rreziqeve që paraqet vërshimi nga lumi Silnica është shpallur gjendja e emergjencës civile në Vushtrri.

Reshjet e fundit kanë bërë që lumi Llap e Drenica të rrisin jashtëzakonisht shumë prurjet në lumin Silnica që rrit rrezikun e vërshimeve në qytet dhe fshatrat e Vushtrrisë.

“Kështu, është urdhëruar rritje e gatishmërisë maksimale e të gjithë ekipeve emergjente komunale dhe pikat kritike priten të jenë vendbanimet përgjatë Lumit “Silnica”, qyteti i Vushtrrisë, Pestova, Prelluzha, Lumi i Madh, Nedakoci.

Palestra në Samadrexhë është caktuar si vend për strehim në rast nevoje. Po ashtu edhe objektet tjera si shkollat po bëhen gati për këtë qëllim. Janë mobiliziar ekipet në QKMF, Zjarrëfikësit dhe Policia”, shkruan më tej kryetari i Komunës.