BSH konfirmoi më herët se të paktën një vdekje është raportuar në lidhje me shpërthimin e një sëmundjeje misterioze të mëlçisë që ka prekur fëmijët në Europë dhe Shtetet e Bashkuara.
Pa treguar se në cilin shtet u regjistrua vdekja, agjencia e Kombeve të Bashkuara pohoi se është në dijeni për të paktën 169 raste të “hepatitit të rëndë me origjinë të panjohur” në disa shtete. Rastet janë raportuar te fëmijët e moshave nga një deri në 16-vjeçare dhe në rastet e 17 të sëmurëve, është dashur të kryhet transplant i mëlçisë.
Britania e Madhe duket e prekur në mënyrë të veçantë, me të paktën 114 raste të njoftuara deri tani. Po çfarë dihet deri më tani për këtë hepatit të mistershëm? Fakti që testet laboratorike kanë përjashtuar viruset e hepatitit të tipit A, B, C, D dhe E si shkaktarë të inflamacionit në mëlçinë e pacientëve, dhe kjo po i intrigron shumë ekspertët.
Për momentin, hipotezat kryesore janë ato të një inflamacioni të shkaktuar si pasojë e një infektimi të mëparshëm me Sars Cov 2 apo nga ndonjë adenovirus, e këtu janë përqendruar për momentin verifikimet. Në 5 prill, OBSH-ja u njoftua për dhjetë raste hepatitis me shkaqe të panjohura në Skocinë qendrore. Simptomat e raportuara ishin verdhëz, diarre, të vjella dhe dhimbje barku, që rezultuan më pas me shtrimin e fëmijëve në spital.
Tre ditë më vonë, 64 fëmijë të tjerë u diagnostikuan në pjesë të tjera të Mbretërisë së Bashkuar. Gjashtë prej tyre kaluan në gjendje të rëndë dhe iu desh t’i nënshtroheshin transplanteve të mëlçisë. Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve thotë se tashmë, edhe në Danimarkë, Irlandë, Holandë e Spanjë janë regjistruar episode të ngjashme ndërsa 9 të mitur u diganostikuan me këtë sëmundje në Shtetet e Bashkuara.