Në Shqipëri, rritja e çmimeve në gjithë zinxhirin e furnizimit, si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, po ndjehet më së shumti tek shtresat e popullsisë me të ardhura të ulëta.
Qeveria ndërhyri me një paketë ndihme financiare për të zbutur pasojat, me një vlerë prej afro 310 milionë dollarë.
Masat vlerësohen nga ekspertë të fushës të pamjaftueshme, pasi ndihma financiare sipas tyre nuk i përgjigjet rritjes së çmimeve.
Ndërkaq e ardhmja parashikohet e vështirë, pasi vendi importon nga Rusia dhe Ukraina sasi të konsiderueshme të disa mallrave të rëndësishme për ekonominë.
Agresioni rus ndaj Ukrainës ka shkaktuar një valë tronditëse në krejt tregun botëror, që prej fundit të muajit shkurt.
Në Shqipëri pasojat e luftës u reflektuan me rritjen treguesit të cmimeve të konsumit me 5.7% ku ndikimin kryesor sipas INSTAT me 10 deri në 22% e dhanë dhënë karburantet dhe ushqimet bazë.
Kjo e rëndoi edhe më tej barrën mbi konsumatorët duke marrë në konsideratë se Shqipëria ka të ardhurat për frymë ndër më të ulëtat në rajon dhe Europë. Për të minimizuar pasojat qeveria ndërhyri me një paketë ndihme financiare në mbështetje të shtresave në nevojë dhe biznesit, me kosto rreth 34 miliard lekë, ose rreth 310 milion dollarë. Disa qytetarë në pension i thanë Zërit të Amerikës, se ndihma financiare e ofruar nuk i përgjigjet rritjes së çmimeve.
Sipas paketës së ndihmës së qeverisë të moshuarit me pension nën 16 mijë lekë në muaj dhe disa shtresa në nevojë, që përbëjnë rreth 20% të popullsisë, përfitojnë 3 mijë lekë në muaj për një përiudhë 90 ditore. Ndërkohë pensionet e mbi 670 mijë pensionsitëve u indeksuan me 3.3%. Paketa parashikon dhe uljen e taksave për disa paga. Masë e rëndësishme vlerësohet nga zyrtarët dhe subvencionimi i çmimit të energjisë për familjarët dhe bizneset e vogla, ai i çmimit të naftës për shoqëritë e transportit me qëllim për të mos rritur çmimin e biletës si dhe zerimi taksave të naftës për fermerët. Por ndërhyrja e qeverisë përmes paketës së rezistencës konsiderohet nga ekspertë të fushës e pamjaftueshme.
Rusia dhe Ukrania janë vende të rëndësishme të kultivimit të grurit, lule diellit dhe misrit sipas organizatës botërore të ushqimit dhe bujqësisë dhe rënia e importit të këtyre produkteve nga këto vende, sipas saj do të ketë pasoja kritike.
Bazuar në statistikat e siguruara nga Zëri i Amerikës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Shqipëria importon nga Rusia dhe Ukraina rreth 70% të totalit të importit të grurit në vend, ku peshën më të madhe me 64% e mban Rusia. Edhe tregu i vajit të lulediellit preket ndjeshëm pasi 50% e totalit të importit të këtij produkti importohet nga këto dy vende (Rusia 29% dhe Ukrania 21%). Bujqësia dhe sektori i ndërtimit gjithashtu kanë filluar të ndjejnë pasojat e krizës pasi 30% e plehrave kimikë importohen nga Rusia dhe 25% e hekurit të ndërtimit importohet nga Rusia dhe Ukrania (8.5% nga Rusia dhe 17% nga Ukraina).
Sipas të dhënave zyrtare importet nga Rusia në muajin mars ranë me 30% krahasuar me të njëjtin periudhë të vitit të kaluar, ndërsa ato nga Ukraina u përgjysmuan. Vështirësitë e furnizimeve të drejpërdrejta nga këto dy vende, por dhe rritja e çmimeve të naftës, gazit dhe energjisë elektrike në tregjet globale çuan në rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve në vend.
Zyrtarët thonë se ekonomia gjatë vitit të kaluar u rrit me 8.5% të prodhimit të brendshëm bruto, duke riparuar ndjeshëm pasojat e pandemisë së koronavirusit. Por situata e re e krijuar nga agresioni rus në Ukrainë, sipas tyre e vë sërish në vështirësi atë dhe parashikimi i rritjes konomike nga 4 ulet në 3.2% për vitin 2022.
Ekspertë të fushës së ekonomisë i sugjerojnë qeverisë dhe marrjen e masave afatmesme nëse lufta në Ukrainë vijon.
Qeveria ndërkohë ka parashikuar dhe skenarin më pesimist, për ekonominë në vend, në varësi të zhvillimeve në tregjet botërore.
Zyrtarët kanë njoftuar se po studiojnë marrjen e një vendimi sipas të cilit familjet që shpenzojnë më shumë se 700 kwh energji në muaj, mbi këtë fashë ta pagujanë atë më shtrenjtë.
Ekonomia shqiptare po përballet për të tretin vit me radhë me disa sfida pas krizës që shkaktoi pandemia e koronavirusit.
Produktivi i ulët sipas ekspertëve, e bën atë më të ekspozuar edhe ndaj krizës së fundit të shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë si dhe masat për amortizimin e saj edhe më të vështira.