Teuta mori një fitore të rëndësishme në garën për mbijetesë përballë Dinamos në transfertë, duke “zhytur” këta të fundit në Kategorinë e Parë. Ja pikantet e kësaj sfide.
– Trajneri i Dinamos, Rodolfo Vanoli, me të hyrë në pankinë sheh nga tifozët dhe i përshëndet, me këta të fundit që ia kthejnë me duartrokitje.
– Shoferin e Dinamos e ngacmojnë në stadium: “Se mos ikën përsëri me autobus sot dhe na i lë në këmbë”. “Jo, jo, pa merak”, përgjigjet shoferi dinamovit.
– Të dyja ekipet në fushë evitojnë të bëjnë foto zyrtare, diçka që është bërë në modë në ndeshjet e fundit. Ndoshta, nga mërzitja e rezultateve të dobëta nuk e kanë më për zemër të bëjnë foto.
– Tifozët ankohen nga tribuna për topin, i cili me sa duket, ishte i shfryrë: “O gjyqtar, ndërro topin, nuk e sheh që është i shfryrë”.
– Kukësi dërgon emisarët e vet në stadium për të parë kundërshtarin e radhës, Teutën. Si gjithnjë, i pranishëm ishte zv.trajneri Amedeo di Late dhe drejtori Sportiv, Pero Pejiç.
– Pankina e Dinamos çohet e gjitha në këmbë te pretendimi për penallti në fund të pjesës së parë, duke iu hakërryer gjyqtarit të katërt. Sapo mbaron kjo pjesë, Vanoli pret Allën dhe i ankohet për atë rast në fund.
– Në momentin që gjyqtarët po futeshin në dhomat e zhveshjes në fund të pjesës së parë, nuk mungojnë batutat e tyre. Dikush lart nga tribuna i kërkon dikujt më poshtë të godasë arbitrin. “Gjuaji me grusht arbitrit se e bëj unë burgun për ty”, moment që kaloi me të qeshura.
– Një mendje e tifozëve dinamovitë ishte edhe në Korçë, teksa për një moment mësojnë se shënon Egnatia, duke i mërzitur. “E shënoi Egnatia”, lajmëronin njëri-tjetrin. Në fushë tifozët u thonë lojtarëve: “Luani fort se shënoi Skënderbeu”. Si për ironi të fatit, një minutë më pas shënon Teuta.
– Në fund, vëzhguesi Mhill Shkëmbi kthen mbrapsht arbitrat për të bërë analizën në fund të sfidës. Gjyqtarët shkuan te makinat e tyre për t’u larguar, por më pas vëzhguesi i thirri dhe iu bashkuan për të bërë analizën për disa minuta.