Gjykata e Posçme e Apelit ka njoftuar se ditën e djeshme ka regjistruar rekursin e depozituar nga ish-ministri Saimir Tahiri kundër vendimit që e dënon atë me 3 vite e 4 muaj burg.

“Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, më datë 26.04.2022, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u depozitua dhe u regjistrua rekursi nr. 79, datë 26.04.2022, paraqitur nga i pandehuri S.T., ndaj vendimit nr. 03, datë 04.02.2022 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me të cilin u deklaruan fajtorë të pandehurit S.T. dhe J.Ç. për veprat penale të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal”, thuhet në komunikimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar.

Ish-ministri Tahiri kërkon pezullimin e dënimit me burg dhe në rekurs thotë se vendimi ka cenuar interesat.

Ndërkohë disa ditë më parë edhe SPAK ankimoi vendimin e Gjykatës së Apelit për ish-ministrin Saimir Tahiri. Në Gjykatën e Lartë, SPAK ka argumentuar se “vendimi është marrë në zbatim të gabuar të ligjit material dhe procedural, prandaj brenda afatit ligjor paraqesim rekurs kundër këtij vendimi”.

Në rekursin e organit të akuzës theksohet se shqyrtimi gjyqësor ka provuar fajësinë e të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela në kryerjen e veprave penale, për të cilat janë akuzuar.