Në takimin kushtuar digjitalizimit të shërbimeve të institucioneve përmes platfomrave kombëtare digjitale, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, u shpreh se në 4 vitet e fundit, shërbimet online janë rritur 19-fish ose 1,825% më shumë, nga 4 shërbime online në vitin 2018 në 77 shërbime online në vitiin 2022 në platformën e-albania dhe në faqen zyrtare të DPSHTRR duke i transformuar plotësisht shërbimet e transportit rrugor nga imazhi i dikurshëm “Refugium Peccatorum” siç njihej DPSHTRR.
Falë investimit strukturor dhe teknologjik në krijimin e sistemeve të reja, përmirësimit të sistemeve ekzistuese, ndërlidhjes së sistemeve me njëri-tjetrin, në vitin 2021 janë ofruar në formë digjitale ose janë eliminuar krejtësisht plot 2,403,603 shërbime të transportit rrugor, duke eliminuar pritjet dhe angaritë në sportele dhe duke i kursyer qytetarëve 109,343 ditë pune, 61,158,843 km rrugë dhe 4,281,122 litra karburant.
Vetëm gjatë vitit 2021 janë eliminuar plotësisht 493,708 shërbime përmes ristrukturimit të 9 procedurave duke i kursyer qytetarit 25,880,243 km, 1,811,619 lt karburant dhe 65,013 ditë pune.
Shërbimet e Transportit Rrugor janë tashmë një histori suksesi përmes Platformës E-Albania: 1,523,195 shërbime për qytetarët dhe subjektet/bizneset, duke 13-fishuar në vitin 2021 gamën e shërbime aktive krahasuar me vitin 2018! Falë gjenerimit elektronik të dokumenteve pa ardhur më në sportele, vetëm gjatë vitit 2021, për 344,599 dokumenta me vulë digjitale, u janë kursyer qytetarëve dhe subjekteve/bizneseve 17,229,950 km rrugë, 1,206,097 lt karburant dhe 28,717 ditë pune.
“Revolucioni digjital ka në vëmendje kryesore interesin publik. Duke përmbledhur të gjitha risitë, informatizimin, thjeshtimin e lehtësimin e praktikave, eliminimin apo uljen e shumë tarifave, vetëm për vitin 2021 DPSHTRR i ka kthyer xhepit të qytetarit/subjekteve rreth 2 miliardë lekë të reja ose 16.2 milionë Euro. Një rezultat spektakolar në vetvete, por që nëse analizojmë efektet shoqëruese, uljen e korrupsionit, modernizimin e entit, investimet në informatizim (3,236% më shumë për vitin 2021 se në vitin 2018), gjenerimin e vendeve të punës në treg, impakti e përfitimi është akoma më i lartë!”, u shpreh Gonxhja.