Një operacion i koduar “Gold” i forcave të Komisariatit Nr.2 dhe Nr.3 të Policisë së Tiranës ka vënë në pranga një 39-vjeçar si autor të vjedhjeve të bizhuterive në disa banesa në kryeqytet.

I arrestuari Glodian Dervishi banues në Laknas, ka qenë i dënuar më parë edhe për vjedhje. Ai u kap në flagrancë nga policia në vendin e quajtur “Dollari” duke shitur disa bizhuteri që kishte vjedhur në banesën e S.R.

Nga hetimet është provuar se ai kryente vjedhje në banesa në zonën e Kombinatit, Paskuqanit dhe në zona të ndryshme të Tiranës dhe më pas sendet e vjedhura i shiste në vendin e quajtur “Dollari” dhe në një argjendari në Kamzë.     

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht në gjendje të lirë pronarja e argjendarisë në Kamzë, 58-vjeçarja N. Z., për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”. 

Ndërsa nga kontrolli në banesën e Glodian Dervishit u gjetën 11 ora të dyshuara të vjedhura, ndërsa shtetases N. Z. iu gjetën 5 unaza dhe 2 varëse floriri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.