Ekstradohet nga Gjermania drejt vendit tonë Genc Tafilaj, 43 vjeç, banues në Shkodër.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi në maj të vitit 2021, Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur kthimin në burg të këtij shtetasi, për të vuajtur dënimin e mbetur prej 6 vitesh, për vrasje.

Shtetasi Genc Tafilaj është dënuar nga Gjykata e Lartë, në vitin 2002, me 25 vjet burgim dhe pasi ka vuajtur një pjesë të dënimit, Gjykata e Rrethit Krujë, në vitin 2017, ka vendosur ta lirojë me kusht.

Më datë 02.08.2000, në Shkodër, shtetasi Genc Tafilaj, në bashkëpunim me babain e tij, ka vrarë me armë zjarri Drejtorin e Drejtorisë së Policisë Shkodër të asaj kohe, Arben Zylyftari.