Policia e Korçës ka arrestuar një 59-vjeçar, pasi në magazinën e tij kishte sasi të mëdha produktesh ushqimore dhe veshje të ndryshme me mbishkrime në gjuhën greke, të dyshuara kontrabandë.

Mësohet se në pranga ka përfunduar shtetasi me iniciale: M.B., 59-vjeç, banues në Bilisht, Devoll.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë bënë arrestimin në flagrancë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, të shtetasit M. B., 59 vjeç, banues në Bilisht, Devoll.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në magazinën në pronësi të këtij shtetasi, në Bilisht, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të konsiderueshme produktesh ushqimore dhe veshje të ndryshme me mbishkrime në gjuhën greke, pa dokumentacionin përkatës, të dyshuara kontrabandë.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.