Greqia ka dërguar në parlament draftin e propozuar nga Ministria e Punëve të Jashtme për zgjerimin territorial në ujërat detarë. Sipas këtij ligji parashikohet që kufiri i Greqisë të zgjerohet me 12 milje në detin Jon.
Është planifikuar që projektligji të kalojë në Komisionin e Çështjeve të Jashtme dhe Mbrojtjes të martën e javës së ardhshme më 12 Janar. 3 ditë më vonë, ligjvënësit grekë mund t’i bëjnë një rishikim tjetër përpara se të prezantohet në seancë plenare më 19 Janar.
Projektligji përmban 5 nene kryesore. Në veçanti është neni i parë, ai i cili në përgjithësi përcakton fushëveprimin e të gjithë projektligjit. Aty përmendet se ky ligj do të aplikohet në të gjithë zonën detare nga pika më veriore e rajonit të ishujve Jonianë, deri në Kepin Tainaro në Peloponez.
Në një paragraf të dytë theksohet se republika helene ka të drejtën e saj të shtrojë të drejtat në tetrritoret ku i takon me ligj ndërkombëtar.
Neni 2 i projektligjit i referohet zonave bregdetare. Në paragrafin e parë theksohet se gjerësia e zonave bregdetare do të caktohet pas hapësirës ajrore në zonë dhe do të llogaritet 1 deri në 12 milje nga vija fillestare, duke përfshirë mbylljen e gjireve apo linjat e drejta.
Edhe neni i tretë i referohet shtrirjes së zonave bregdetare. Neni katër ka të bëjë me peshkimin, ndërsa neni pesë parashikon hyrjen në fuqi të ligjit menjëherë sapo të botohet në fletoren zyrtare.
Kryetari i Parlamentit Konstantinos Tassoulas ka deklaruar se do të ushtrojë të drejtën që çdo deputet të votojë që ky projektligj të marrë shumicë të cilësuar.
Sipas burimeve diplomatike të mediave greke, shteti helen me këtë vendim zgjerohet në mënyrë të konsiderueshme. Përveç detit, sipas mediave, vendi zgjerohet edhe sa i përket hapësirës ajrore. /TvKlan





