Një grua nga jugu i vendit, por që kërkon të mbetet anonime denoncon dhunën barbare dhe sistematike të të shoqit ndaj saj. Ajo tregon se ka tre muaj që ka ardhur në Tiranë bashkë me tre fëmijët e saj për t’i shpëtuar agresionit.

Këtu ka gjetur punë dhe ka sistemuar fëmijët në shkollë. Tani ka një avokate shteti falas dhe ajo po merret me urdhrin e mbrojtjes dhe me divorcin. Zonja thotë se u drejtua në “Stop”, pasi ka nevojë për psikolog e ndihmë financiare.

Denoncuesja: Unë jam një zonjë nga jugu i Shqipërisë. Kam 20 vjet që më dhunon burri. Kam 3 fëmijë minorenë. Kam ecur gjithmonë me shpresën se gjërat do të ndryshojnë, do të kalojnë, por dhuna nuk është ndalur në asnjë moment.

Gazetarja: Kush është arsyeja e dhunës?

Denoncuesja: Fanatizmi, xhelozia, alkooli, të gjitha bashkë. Sipas tij, një femër nuk duhet të dalë nga shtëpia, nuk duhet ta shikojë diellin, tamam si në skllavëri. Një femër kur bëhet nënë e harron veten dhe mendon për fëmijët dhe një femër pa mbështetje e ka shumë të vështirë që ta përballojë jetën vetëm. Jam larguar disa herë dhe asnjëherë nuk kam gjetur zgjidhje sepse në radhë të parë nuk kam pasur besim tek vetja ime.