Në kuadër të operacionit antikontrabandë të koduar “Cross Border” janë vënë në pranga 3 qytetarë, njëri prej tyre doganier në Pikën Doganore Kapshticë. Konkretisht janë arrestuar: Shoferi i autobusit, 57-vjeçari Xhemal Halili, faturino 54-vjeçari Fatmir Avdyli dhe 41-vjeçari Klodjan Palloj me detyrë doganier.
Shërbimet e Policisë janë organizuar pasi në bazë të informacioneve të siguruara se në një autobus të linjës Greqi-Shqipëri, do të transportoheshin mallra të dyshuara kontrabandë, u bë i mundur ndalimi i mjetit në afërsi të fshatit Dishnicë, Korçë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në autobusin e Halilit, me faturino 54-vjeçarin Avdyli, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të konsiderueshme karburanti (nafte), medikamente mjekësore, prodhime letre, pleh kimik, vaj ushqimor dhe vaj automjetesh, mallra për të cilat shtetasit e mësipërm nuk kishin kryer detyrimet doganore.
Janë sekuestruar sasi të konsiderueshme karburanti, vaj mjetesh dhe vaj ushqimor, medikamente mjekësore, prodhime letre dhe pleh kimik.
Gjithashtu, nga hetimet e kryera dyshohet se 41-vjeçari me detyrë doganier, ka shpërdoruar detyrën, duke mos kryer procedurat për zhdoganimin e këtyre mallrave.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.





