Një pjesë e personave të lënduar nga shpërthimi i bombulës së gazit në restorantin në Ferizaj, të cilët janë në gjendje më të rëndë si pasojë e djegieve që kanë pësuar do të dërgohen për trajtim në Republikën e Turqisë.

Përmes një postimi në Facebook, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka thënë se po bëjnë përpjekje maksimale t’i lehtësojnë procedurat për shërim atje. 

“Po bëjmë përpjekje maksimale që për të lënduarit në gjendje më të rëndë, ta lehtësojmë procedurën për shërim në Republikën e Turqisë, sipas rekomandimeve të mjekëve, pas vendosjes së kontakteve nga Komuna e Ferizajt bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë, Shërbimin Spitalor Klinik-Universitar të Kosovës dhe kërkesës tonë pranë Ambasadës së Turqisë në Kosovë. Zemërthyer e të tronditur jemi sot, jo vetëm ne ferizajasit, nga vala e zjarrit e shpërthimi i fuqishëm që lëndoi dhjetëra qytetarë. Ferizaj do ta kapërcej edhe këtë plagë që nisi vitin. Të gjithë jemi me lutjet tona për shërimin e të lënduarve dhe pranë familjeve të tyre. I jashtëzakonshëm ishte edhe reagimi i mjekëve e infermierëve ferizajas dhe stafit teknik nga komunat fqinje, Policisë së Kosovës, zjarrfikësve, solidarizimi i bizneseve me këtë fatkeqësi e qytetarëve të rastit që me reagimin e shpejtë, parandaluan zgjerimin e tragjedisë. Qoftë i shpejtë shërimi i të lënduarve”, shkruan Aliu.