Qeveria gjermane raporton se është ulur dukshëm numri i personave që kanë kaluar testin e gjuhës dhe të integrimit, që është parakusht për marrjen e nënshtetësisë gjermane.
Gjithnjë e më shumë të huaj po dështojnë në testin e gjuhës gjermane të kërkuar për të marrë nënshtetësinë gjermane. Përgjigja e qeverisë gjermane ndaj një pyetje në Bundestag tregon se në gjysmën e parë të vitit 2020, testin e gjuhës gjermane e kanë kaluar me sukses në Gjermani vetëm 59.2% e pjesëmarrësve në kurset e integrimit. Ndërkohë që kjo përqindje në vitin 2015 ishte 72,6 %. Niveli i suksesit në testet e gjuhës, që është kusht për nënshtetësi, ka rënë jo vetëm tek të moshuarit por edhe tek të rinjtë. Në vitin 2015 ata kanë qenë të suksesshëm me 83.6 përqind, ndërsa në vitin 2019 vetëm 63.5 % prej tyre e kanë kaluar me sukses këtë test.
Kurset për integrim
Prej vitit 2010 deri tani, kursin e integrimit e kanë ndjekur në Gjermani rreth 1.2 milion të huaj. Pjesëmarrësit e këtyre kurseve mësojnë për zhvillimet më të rëndësishme në Gjermani, por edhe nivelin e duhur të gjuhës gjermane, për marrjen e nënshtetësisë. Qeveria gjermane ka ndarë për këto kurse të integrimit rreth 4,6 miliardë euro, për periudhën prej vitit 2010 deri në vitin 2020.
Rene Springer, përfaqësues i partisë së djathtë populiste Alternativa për Gjermaninë (AfD), i tha gazetës Neue Osnabrücker Zeitung se është e papranueshme të shpenzohen kaq shumë para të taksapaguesve për këto qëllime. Sipas tij, numri i lartë i të dështuarve në teste tregon se “shumë migrantë nuk kanë kulturën e duhur arsimore ose vullnetin për t’u integruar”.
Ministria: Interesimi ekziston
Një mendim të kundërt ka Ministria e Brendshme gjermane. Përfaqësuesit e ministrisë thonë se ekziston një “interes i madh” për mësimin e gjuhës gjermane. Një zëdhënës i ministrisë tha se gati gjysmë milioni azilkërkues me perspektivë të mirë për të qëndruar në Gjermani, me vetëiniciativë kanë aplikuar dhe janë regjistruar në kurset e integrimit – pa qenë të detyruar ta bëjnë këtë.
Arsyet për numrin e lartë të testeve të pasuksesshme në gjuhën gjermane shpjegohen nga Ministria e Brendshme me faktin se që nga kriza e refugjatëve në 2015/2016, struktura e pjesëmarrësve në kurset e integrimit ka ndryshuar ndjeshëm. Kohët e fundit, numri i pjesëmarrësve është dominuar nga njerëz “me arsim të ulët dhe me dallime të konsiderueshme në kulturë dhe gjuhë”.
Shkaqet e dështimit
Ekspertët thonë se problemi qëndron diku tjetër. Ata mendojnë se ka edhe “arsye të thella” për performancën e dobët të disa azilkërkuesve. Shumë prej këtyre refugjatëve kanë përjetuar trauma të mëdha psikologjike dhe tortura gjatë luftës, por edhe gjatë arratisjes së tyre deri në Evropë. Ekspertët mendojnë se edhe këta faktorë ndikojnë në uljen e aftësisë së përqendrimit në mësimin e gjuhës./DW