Skandal me pasurinë e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ceno Klosi. Një ndër zyrtarët e lartë që ligji e ngarkon për të hetuar transaksionet e dyshimta, në deklaratën e pasurisë rezulton se ka dhënë 140 mijë paund me fajde për shoqëri biznesi përmes 4 transaksioneve në shkurtin e vitit 2019.
Në deklaratën vjetore të të ardhurave, drejtori i Tatimeve, Ceno Klosi, deklaron se ka dhënë 140 mijë paund me fajde për shoqëri biznesi përmes 4 transaksioneve në shkurtin e vitit 2019. Por dhënia e shpejtë e një huaje prej 140 mijë paundësh nga drejtori i Përgjithshëm ngre dyshime të forta mbi skemën e përdorur.
Sipas të dhënave të deklaruara nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve në ILDKP vitin që shkoi, mekanizmi i huadhënies nga kursimet familjare është aktivizuar më 2 prill të 2019-ës, ku është dhënë një borxh prej 10 mije paundësh.
Katër ditë më parë, në 28 janar të 2019-ës, Ceno Klosi duke paguar 100 paund është bërë aksioner themelues me 33% në një biznes në Angli, që nga emri “First bar limited” në Blackwood Close, West Byfleet, i cili është një bar në një zone luksoze në Londër, ku çmimet e apartamenteve janë mbi 1 milion paund. Pas huas së parë, fajdet kanë vijuar seri në pak ditë, më 14 shkurt të 2019- ës janë dhënë borxh 20 mijë paund.
Më 20 shkurt të 2019-ës, Ceno Klosi ka dhënë 50 mijë paund dhe në 26 shkurt të po atij viti është regjistruar një hua prej 60 mijë paundësh të tjerë. Nuk dihet nëse fajdet janë dhënë për një apo disa kompani dhe nëse ato janë vendase apo të huaja, pasi për shkak konfidencialitetit, emri është fshirë në deklaratë. Por vetë procedura e huadhënies është mjaft delikate dhe shpeshherë në kufijtë e ligjshmërisë. Kodi Penal shqiptar e ka përcaktuar qartë se kur dhënia e fajdeve përbën krim të dënueshëm.
Neni 170/ç i Kodit Penal parashikon se “Ushtrimi i një ose disa veprimtarive financiare të ndryshme nga veprimtaria bankare, nga persona që nuk janë të licencuar për këtë qëllim, sipas legjislacionit bankar dhe/ose financiar në fuqi, dënohet me gjobë ose burgim gjer në tre vjet”. Po kjo vepër, kur i ka shkaktuar pasoja të rënda interesave shtetërore ose atyre të shtetasve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Duhet që autoritetet të përcaktojnë nëse huat e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve janë brenda normave të Kodit Civil, apo nëse kalojnë në fushën e veprimtarive të paligjshme.
Gjithsesi, dy vite pasi Ceno Klosi ka dhënë 140 mijë me fajde, ende nuk ka deklaruar kthimin e tyre. Ajo që është e sigurt, është se në qershor të 2021-shit, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve ka në llogari bankare mbi 48 mijë paund të tjerë llogari bankare të siguruara nga kursimet familjare.
Listës i shtohen edhe llogari bankare prej gati 30 mijë eurosh po nga kursimet familjare, tri apartamente në kryeqytet me vlerë 550 mijë euro, 100 mijë euro llogari bankare e bashkëshortja që, ashtu si i shoqi, ka arritur t’i kursejë nga familja. PASURIA Në deklaratën e pasurisë së Ceno Klosit zbulohet se si në mënyrë të shpejtë janë blerë tri apartamente me vlerë mbi 500 mijë euro në Tiranë.
Fillimisht, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve rezulton se ka blerë në shtator të 2010 me kredi dhe kursime familjare një apartament prej 93,7 metrash katrorë me vlerë 6,8 milionë lekë. Por, nëse një familjeje shqiptare me rroga të mesme nuk do t’i dilte e gjithë jeta në punë për të shlyer kredinë e shtëpisë, Ceno Klosi pas gjashtë vitesh, në tetor të 2016 ka blerë me kredi, një tjetër apartament prej 160 metrash katrorë në kryeqytet me vlerë 200 mijë euro.
Oreksi vjen duke ngrënë thotë populli, dhe pas 5 vitesh Ceno Klosi blen një tjetër apartament në Tiranë me vlerë 280 mijë euro, nga të cilat 60 mijë euro vijnë nga kursimet dhe rreth 150 mijë euro janë marrë kredi.
Nga përshkrimi i apartament kuptohet se është në një zonë luksi, pasi ka një sipërfaqe prej 154 metrash dhe plot 91 metra të tjerë janë verandë. Në deklaratë është pasqyruar edhe pasuria e bashkëshortes së Ceno Klosit me pozicion drejtore sektori në një bankë të nivelit të dytë, e cila është pjesëtare në dy apartamente. BASHKËSHORTJA Bashkëshortja e tij rezulton po ashtu me një llogari kursimi prej rreth 100 mijë euro dhe argumentuar se është krijuar nga kursimet familjare.
Me gjithë pasurinë e konsiderueshme drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve nuk ka një automjet në pasuri, ndërsa bashkëshortja ka deklaruar në 2021 një automjet “Benz” prodhim i vitit 2002. Duket se në këtë pikë Ceno Klosi e ka shfrytëzuar si duhet postin në OSHEE dhe tatime duke përdorur automjetet e administratës shtetërore. /Panorama