Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, doli në një konferencë për shtyp pas përfundimit të ndeshjes finale të Conference League në Tiranë.
Sipas Gledis Nanos, “për herë të parë Policia e Shtetit hartoi një plan masash të guximshëm dhe me risk, plan që u finalizua me sukses”.
Gjatë dy ditëve të aktivitetit, drejtori i Policisë tha se u shënuan tre incidente, përplasje me dhunë mes tifozëve holandezë dhe shqiptarë, përplasje të dhunshme mes policisë dhe tifozëve holandezë dhe përplasje të dhunshme mes policisë dhe tifozëve të Romës.
Ndërkohë që theksoi se “është parandaluar në kohë përplasja me pasoja e dy grupeve të tifozëve të cilëve policia u sekuestroi thika e sende të rrezikshme”.
“Dërguam jashtë vendit 80 ultras të Romës. Nga përplasjet e dhunshme mbetën 19 policë të plagosur. Për gjithë tifozët që janë përfshirë në akte dhune janë referuar materiale në prokurori, ata u deportuan, lista me gjeneralitetet e tyre do i kalojnë policive të vendeve partnere të merren masa që ngjarje të tilla dhune të mos ndodhin në aktivitete të tilla”, tha drejtori Nano.
Fjala e plotë e drejtorit Gledis Nano
Sot është një ditë kur jo vetëm dhe thjesht do të bëjmë një bilanc të punës së Policisë së Shtetit, në mbarëvajtjen e një prej ngjarjeve më kryesore të UEFA Conference League, e cila u zhvillua në Shqipëri, në stadiumin “Air Albania”, por si kryefjalë të këtij takimi, unë si Drejtues i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kam falënderimin për të gjithë efektivët e Policisë që u angazhuan dhe përballuan një ndër evenimentet më të mëdha ndërkombëtare të futbollit.
Në krejt historinë e saj, jo vetëm Policia e Shtetit, por edhe mbarë vendi ynë nuk ishte ndeshur me peshën e organizimit të një eventi të tillë. Kjo ishte një përvojë e parë e këtyre përmasave, e cila tregoi se Policia shqiptare nuk u gjet e papërgatitur, madje më duhet të pohoj se duke parë përvojat dhe pasojat e shkaktuara në disa prej qyteteve të vendeve evropiane në ndeshje të përmasave të tilla, Shqipëria shënoi një ndër sukseset më të shumëpritura në këtë drejtim.
Padyshim që fluksi i jashtëzakonshëm i tifozëve dhe i personaliteteve të sportit në Shqipëri, ndikoi që në shumë prej tyre të thyhej mendësia se Shqipëria është një vend i pasigurtë. Përkundrazi, ata në këto ditë të qëndrimit u shprehën se vendi ynë ofron më shumë se pritshmëritë e tyre dhe këtu kam parasysh gjithçka, çdo resurs kulturor, artistik, sportiv dhe gjeografik që identifikon dhe prezanton vendin tonë.
Pak orë më parë, në Tiranë u përmbyll me shumë sukses finalja e UEFA Conference League, midis ekipeve të Romës – Itali dhe Feyenoordit – Hollandë.
Një aktivitet i përmasave të jashtëzakonshme, që kërkonte një plan të detajuar, angazhim maksimal, profesionalizëm, bashkëpunim dhe mirëkuptim.
Për herë të parë Policia e Shtetit hartoi një plan masash të guximshëm dhe me risk, plan i cili, falë përkushtimit dhe profesionalizmit të strukturave të Policisë së Shtetit, u finalizua me sukses.
Për 5 muaj me radhë, duke bashkëpunuar me homologët italianë e holandëzë, me UEFA-n dhe FSHF-në, është punuar maksimalisht nga ekspertët e Policisë për të detajuar çdo masë, me qëllim që ky aktivitet i përmasave evropiane të përmbyllej me sukses.
Gjithashtu, në vlerësim të masave të sigurisë për këtë ndeshje ndërkombëtare të futbollit, si dhe në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga direktivat e Këshillit të Evropës, për shkëmbimin e drejtpërdrejtë dhe të shpejtë të informacionit ndërmjet strukturave të Policisë me ato homologe të vendeve të tjera, në muajin prill të këtij viti, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u ngrit pika kombëtare për shkëmbim informacioni për ndeshjet ndërkombëtare të futbollit, e cila që nga dita e parë e krijimit të saj ishte në komunikim dhe shkëmbim të vazhdueshëm të informacionit jo vetëm me ato të Italisë dhe të Holandës, por edhe të vendeve të tjera fqinje dhe ato evropiane, për të marrë modelet më të mira të praktikës së policimit të ndeshjeve të futbollit të një dimensioni ndërkombëtar.
Policia e Shtetit, duke shfrytëzuar përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit, mbështetur në legjislacionin tonë, si dhe në kushtet dhe infrastrukturën që ofron “Air Albania Stadium”, për sa i përket sigurisë, hartoi një plan masash të detajuar për të gjitha strukturat dhe shërbimet e Policisë, për zbatimin e të cilit u angazhuan gjithsej 2800 punonjës policie.
Të gjitha këto masa u zbatuan me profesionalizëm nga të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit.
Kanë ndodhur 3 incidente, konkretisht:
-goditja me mjete të forta ndërmjet një grupi të tifozëve të Holandës dhe qytetarëve shqiptarë, për të cilin u arrestuan dy tifozë holandezë;
-përplasja e dhunshme me Policinë e një grupi tifozësh holandezë;
-përplasja e dhunshme me Policinë e një grupi tifozësh italianë.
Siç jeni në dijeni, reagimi i strukturave të Policisë së Shtetit ka qenë profesional dhe vendimtar, sepse është parandaluar në kohë përplasja me pasoja e grupeve të tifozëve të të dy skuadrave, të cilëve Policia iu sekuestroi thika, shkopinj druri, leva hekuri, pllaka guri, shishe qelqi e sende të tjera të rrezikshme për jetën e shëndetin. Në vijim të masave, krahas ndjekjes ligjore duke përcjellë materialet hetimore në Prokurori, Policia e Shtetit dëboi jashtë vendit, 80 tifozë ultras të skuadrës së Romës.
Nga përplasjet e dhunshme mbetën të plagosur 19 punonjës policie, të cilëve gjej rastin edhe një herë t’u uroj publikisht shërim sa më të shpejtë.
Masa të veçanta u zbatuan nga Policia e Shtetit, për të garantuar sigurinë gjatë zhvillimit të aktiviteteve për pritjen e sportdashësve të të dy ekipeve në “Fan Zonat”, për sportdashësit e dy ekipeve, ku nuk ka pasur incidente apo ngjarje me shtetasit italianë dhe holandezë.
Para dhe gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti të rëndësishëm, një rëndësi të veçantë i kushtuam bashkëpunimit me të gjithë aktorët dhe faktorët që kishin rol në mbarëvajtjen e aktivitetit, ndër të cilët përmendim:
– Bashkinë e Tiranës dhe Policinë Bashkiake.
– Shërbimin Zjarrfikës.
– Federatën Shqiptare të Futbollit.
– Autoritetet e aeroportit të Rinasit, Tiranë dhe autoritetet e Kontrollit të Aviacionit të Tiranës.
– Autoritetin Portual Durrës.
– Shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë).
– Spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.
– Vullnetarët.
Një bashkëpunim shumë të mirë para dhe gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti kemi pasur me shërbimet policore të të dy vendeve, Itali dhe Holandë. Grupe oficerësh të këtyre dy vendeve u angazhuan drejtpërdrejt në terren, së bashku me oficerët e Policisë së Shtetit, në funksion të mbarëvajtjes së këtij aktiviteti.
Përfitoj nga rasti t’u shpreh falënderimet më të sinqerta për mbështetjen dhe kontributin e tyre të drejtpërdrejtë në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti të rëndësishëm, të gjithë oficerëve të Policisë holandeze dhe atyre të Policisë italiane, në veçanti kolegëve të Zyrës për Rendin dhe Sigurinë Publike të Departamentit të Policisë së Shtetit, pranë Drejtorisë Qendrore të Policisë për Parandalimin, të Kuesturës së Romës, që i përkasin zyrës së kabinetit dhe Digos, si edhe Zyrën e Ekspertit për Sigurinë Interforcë Tiranë.
Falënderoj Policinë e Kosovës që iu përgjigj ftesës për të dërguar një grup me specialistë të niveleve të ndryshme, me qëllim për t’i ardhur në ndihmë Policisë së Shtetit, për të menaxhuar tifozët që erdhën nga Kosova, si dhe për të fituar eksperiencë në menaxhimin e aktiviteteve të përmasave të tilla që ndodhin rrallë në rajonin tonë.
Ky aktivitet i përmasave evropiane nuk do të përmbyllej me sukses në rast se nuk do të kishim mirëkuptimin dhe mbështetjen e qytetarëve të Tiranës, por edhe të mbarë vendit, të cilët sot, në emër të Policisë së Shtetit dua t’i falënderoj sinqerisht për gjithë suportin e dhënë dhe t’i garantoj se Policia e Shtetit është në shërbimin të tyre, që bashkërisht të vijojmë të ndërtojmë një ambient sa më të sigurtë për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Njëkohësisht dua të falënderoj gazetarët vendas dhe të huaj dhe t’i siguroj se Policia e Shtetit, marrëdhëniet me median i ka parësore. Ne kemi nevojë për mbështetjen dhe oponencën e tyre dhe në këtë rast është momenti për t’i dhënë suport Policisë së Shtetit, për gjithë këtë punë të shkëlqyer që ajo bëri në interes të imazhit të vendit duke reflektuar në sytë e mbarë botës një Polici të aftë, profesionale dhe të vendosur për të zbatuar ligjin.
Dua të falënderoj drejtuesit e strukturave qendrore dhe vendore të Policisë dhe të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, që me përkushtim e profesionalizëm përballuan me sukses garantimin e rendit e të sigurisë, si dhe vijuan pandërprerë operacionet policore, pavarësisht ngarkesës së jashtëzakonshme që kishin për shkak të aktivitetit.
Vetëm dy ditët e fundit janë kapur disa persona në kërkim dhe janë zhvilluar disa operacione policore për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit etj.
Pra, në fund të fjalës sime, falënderimi për forcat e Policisë, maturinë dhe profesionalizmin e treguar prej tyre, kulturën dhe tolerancën e shoqërisë shqiptare, gatishmërinë e shumë prej institucioneve bashkëpunuese, është vlerësimi më i vërtetë për atë çka u arrit në nisje dhe përfundim të kësaj ndeshjeje historike për futbollin.
Në këto tri ditë u vu re qartazi se qytetaria shqiptare u ndërthur me përgjegjësinë e strukturave të sigurisë kombëtare dhe kjo gjë reflektoi atë Shqipëri që synuam të ndërtojmë me jo pak sakrifica, përkushtim e vullnet në këto tridhjetë vjet.
Ju faleminderit edhe një herë dhe besoj e shpresoj se rruga për organizmin e ngjarjeve të mëdha sa i përket programeve të sigurisë kombëtare në koordinim me strukturat e agjencive ligj zbatuese ndërkombëtare, tashmë është e hapur dhe më e sigurtë.