Ndryshe nga fundjava që lamë pas me reshje shiu e ulje temperaturash, gjatë javës që presim përpara rikthehet moti i qëndrueshëm dhe rritja e temperaturave.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, dita e sotme (e hënë) parashikohet me kthjellime, por edhe me alternime vranësirash hera-herës deri të dendura. Nga orët e mesditës deri tek ato të pasdites priten reshje shiu afatshkurtra në formë shtrëngatash. Në relievet malore do të jenë në formë stuhish e rebeshesh të izoluara.

Për ditën e martë pritet një përmirësim i mëtejshëm. Moti parashikohet i kthjellët me vranësira të pakta deri mesatare e kalimtare. Por, në relievet malore në lindje, nga orët e mesditës deri ato të pasdites, parashikohen reshje shiu afatshkurtra në formë rrebeshesh dhe stuhi e shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Duke filluar nga dita e mërkurë deri ditën e premte moti parashikohet i kthjellët, duke përjashtuar vranësirat e pakta kalimtare në lindje të territorit. Gjithashtu parashikohet mot i nxehtë dhe temperatura të larta për shkak të masave ajrore jugore.