Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dhënë vendimin për ish-drejtorin e RTSH-së Thoma Gëllçi.

Gëllçi është dënuar nga GJKKO me 2 vite burg por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi përfundimtar shkon në 1 vit e 4 muaj. Po ashtu, ai nuk duhet të ushtrojë asnjë funksion publik për 5 vitet e ardhshme. Menjëherë pas vendimit, avokati i tij tha se do ta apelojnë vendimin.

Për tre të bashkëpandehurit e tjerë, të akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, Julian Tapia, Ervin Muraj dhe Alban Malaveci, gjykata vendosi dënimin me nga një vit burg.

Thoma Gëllçi dhe tre punonjësit e tjerë të këtij institucioni u arrestuan nga SPAK, pasi dyshohet se kishte kryer shkelje ligjore në një proçedurë prokurimi, shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”.

Sipas SPAK, Gëllçi dhe tre punonjësit e televizionit kanë abuzuar “Në proçedurën e prokurimit “Proçedurë e hapur”, me objekt “Blerje pajisje për kanalin RTSH Agro”, me nr. REF-90011-10-16-2018, me fond limit 86. 908 550, 00 lekë”.