Artan Jazxhi është vetëm 20 vjeç, por ka “dellin” e liderit. Ish-talenti i Shkëndijës së Durrësit erdhi qetësisht te Teuta, por dalëngadalë po tregon se është një lojtar premtues.I riu zhvilloi 17 ndeshje si titullar me Teutën. Talenti i bluve ka shprehur të gjitha emocionet e tij në këtë sezon dhe për ambientin që ka gjetur te Teuta.
Zhvilluat një sezon pozitiv. E keni shijuar?
Po, 100%. Kam shijuar çdo minutë në stërvitje dhe në ndeshje. Jam me fat që luaj në këtë skuadër, mbi të gjitha që më ka dhënë shansin të luaj në Superiore. Sa herë që aktivizohem, dua ta ndihmoj.
Në fillim të sezonit nuk ishit titullar. Çfarë ndryshoi te ju, që më pas e “blinduat” vendin në 11- she?
Nuk e di. Mund të them që në fillimin e sezonit kuptova se duhet të punoja më shumë në stërvitje. Fola me trajnerin, mora informacionet e duhura dhe nisa të përshtatesha pak nga pak, derisa ia arrita. Erdha këtu si lojtar i ri nga akademia e Teutës dhe duhet të mësoj çdo ditë. Tani jam duke u bërë burrë edhe si futbollist. Teuta është si një familje e madhe, e cila më çon në rrugën e duhur dhe më përmirëson.
A e mbani mend ditën e parë tek Teuta?
Koha kalon shumë shpejt. Sigurisht që e kujtoj edhe momentin kur erdha këtu. Jam i kënaqur për mënyrën si kanë shkuar gjërat. Kam bërë progres dhe i jam falënderues Teutës.
A janë të rinjtë një element i rëndësishëm për Teutën?
Po. Ky klub tashmë njihet se bazohet te të rinjtë dhe prodhon lojtarë. Kjo skuadër është vendi i duhur për të mësuar dhe për t’u rritur. Është një ambient fantastik, pasi ndihesh si në shtëpi, ndihesh i sigurt për të dhënë gjithçka në fushën e lojës.
Cilat janë momentet më të bukura deri tani në karrierën tuaj?
Sigurisht që momenti kur luajta ndeshjen e parë në Superiore. I thashë vetes se është diçka e jashtëzakonshme. Shumë fëmijë e ëndërrojnë diçka të tillë. Gjithashtu, trofetë e fituar me Teutën, sidomos titulli.
Çfarë prisni nga sezoni i ri?
Dua t’i marr gjërat hap pas hapi. Tani dua thjesht të luaj, të stërvitem mirë dhe të punoj për të shkuar larg. Dua të fitoj sa më shumë ndeshje dhe pastaj të shohim se çfarë mund të ndodhë.