Prej kohësh policia rrugore e Tiranës, ka shtuar kontrollet parandaluese duke aplikuar të gjitha format e patrullimit/monitorimit me qëllimin e vetëm parandalimin e aksidenteve rrugore që shkaktojnë jo vetëm pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e personave që përfshihen në to, por edhe pasiguritë dhe shqetësimet për këdo që i shikon këto pamje shqetësuese.
Ashtu sikundër shumë njerëz me të drejtë adresojnë shqetësime që lidhen me sigurinë e jetës në rrugë, disa të tjerë nxitojnë të “marrin jetë njerëzish” në vëndkalimin e tyre, duke manifestuar pa përgjegjshmëri ligjore në raport me normat e sjelljes në rrugë.
Policia ka publikuar pamjet nga një episod në Tiranë, ku një mjet për pak sa nuk mori para një këmbësore.
“Pamjet janë shumë shqetësuese, duke i kërkuar ndjesë këmbësores, shpresojmë që drejtuesit e mjeteve por jo vetëm, të arrijnë të reflektojnë në kohë për rëndesinë që ka sjellja sipas normave për të gjitha kategoritë e përdoruesve të rrugës, jo vetëm atëhere kur bëhen subjekt i sanksioneve ligjore për shkelje që mund të rrezikojnë por edhe shkaktojnë pasoja fatale për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës”, apelon Policia e Tiranës.





