Dalja e të dhënave tona personale duket se është bërë e udhës në vendin tonë. Pas patronazhistëve, pagat, targat e makinave, numrat e kartave të identitetit dhe gjithçka tjetër që hyn tek të dhënat personale për qytetarin shqiptar janë sheshit.

Janë trajtuar si skandale, janë hetuar, por pa e ndaluar rrjedhjen e të dhënave në duart e tregtarëve që fshihen në internet dhe paguajnë të kenë databaza të tilla. Skandali i fundit vjen nga një hulumtim i TCH, nga ku bëhet me dije se janë jo pak, por mbi 3 milionë numra celulari që gjenden në duart e një personi, me emër arab, i cili i nxjerr në shitje në këmbim të shumave të paracaktuara.

Askush nuk di të thotë se kush është ky person dhe aq më pak se kush është i interesuar të blejë qindra-mijëra numra telefoni të shtetasve shqiptarë.

SKANDALI

Përdorimi telefonave celularë për të gjithë ne është kthyer në një pjesë të domosdoshme të jetës sonë. Numrat e telefonit të 3 milionë shqiptarëve janë reklamuar në një faqe në internet për t’u shitur. Një tjetër thyerje e të dhënave personale pas daljes të një databaze të pagave dhe targave të shqiptarëve.

Gazetari i “Top Channel” Muhamed Veliu ka identifikuar një faqe në internet, e cila disponon një databazë me 3 milionë numra celularësh, së bashku me emrat e përdoruesve të këtyre numrave dhe pozicionin e punës së personit që i përket numri telefonit. Poseduesit e databazës së këtyre numrave kanë listuar edhe çmimet e shitjes.

Mjafton të kesh një kartë banke dhe në pak sekonda bëhesh posedues i tyre. 4.000 dollarë është çmimi për blerjen e 3 milionë të dhënave për numrat shqiptarë të telefonisë mobile. 1.500 dollarë nëse do të blesh të dhënat e 1 milion numrave, 1.000 dollarë për 500.000 numra dhe vetën 350 dollarë për 100.000 numra.

Poseduesi i 3 milionë numrave telefonikë të shqiptarëve dhe shitësi i tyre, përmes një platforme në internet, është një person i cili përdor emrin Munnaf Hossain. Sipas tij, lista që ai ka nxjerrë në shitje është e saktë, autentike, e freskuar me informacione korrekte, shoqëruar me numrin e telefonit, emrin e personit dhe kodin postar.

Për ta vërtetuar këtë, Munnaf Hossain ka publikuar në faqen e tij në internet si shembull një pjesë të kësaj databaze.

VERIFIKIMI

“Top Channel” verifikoi numrat e kësaj liste. Rezultoi se janë në përdorim e iu përkasin personave, emri i të cilëve shkruhet në të djathtë të kësaj liste. Mbetet e paqartë se si Munnaf Hossain ka mundur të sigurojë 3 milionë numrat e celularëve të shqiptarëve në një kohë kur ligji parashikon në mënyrë strikte se kush duhet t’i disponojë këto numra.

Në listën e publikuar si shembull për blerësit, është edhe emri i ekspertit të sigurisë Redion Qirjazi, i cili tha për “Top Channel” se “gjetja e fajtorit mbetet gjithmonë sfida më e madhe në kërcënimet e sigurisë kibernetike”.

“Kjo mund të nxisë kërkesën e qytetarëve për të mos regjistruar të dhëna personale ose akoma më keq, të synojnë forma të jashtëligjshme për zotërimin e një numri celulari.

Në terma afatgjatë, kjo mund të krijojë një situatë pasigurie për qytetarët dhe qeverinë, që do ta kishin të pamundur të identifikonin thirrësit, në raste të veprimeve kriminale ndaj individëve të tjerë, shoqërisë apo edhe qeverisë”, deklaroi eksperti Redion Qirjazi.

Rrjedhja e numrave krijon pasiguri te qytetarët

Pas sulmeve të 11 shtatorit në SHBA, nga ku celula terroriste përdori numra të paregjistruar telefoni, në SHBA dhe EU, në mënyrë drastike, legjislacioni pësoi ndryshim për të bllokuar shitjen e numrave pa u regjistruar. Edhe në Shqipëri ndodhi e njëjta gjë. Të gjithë blerësit e një numri duhet të firmosin një mori me letra e më pas bëhen posedues të numrit.

Por e gjitha kjo zhvlerësohet si në aspektin e privatësisë apo edhe të sigurisë, në një kohë kur 3 milionë numra celulari shqiptarësh janë nxjerrë në shitje.

“Nëse rrjedhja e këtyre numrave është bërë nga punonjës të institucioneve të sigurisë që janë të autorizuar për të pasur akses, kjo do të dëmtonte imazhin e institucioneve dhe krijonte ndjenjë pasigurie te qytetarët”, tha Redion Qirjazi. Sipas ekspertit Qirjazi, kjo do të sjellë uljen e besimit tek institucionet, të cilat kanë akses në numrat e celularëve të shqiptarëve, të cilët tashmë janë në shitje.