Presidenti i Republikës, Ilir Meta iu drejtua si Folësi Kryesor me një fjalë të veçantë sesionit të Forumit IX Global të Bakusë “Për një Europë në ndryshim dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor, të drejtuar nga Ambasadorja Susan Ellitot – Presidente dhe Drejtuese e Komisionit Kombëtar mbi Politikën e Jashtme amerikane.
Në fjalën e tij, Meta u shpreh kundër nismës së Ballkanit të Hapur, ndërsa bëri thirrje për zbatimin pa vonesë të Procesit të Berlinit.
“Pse Procesin e Berlinit? Sepse Procesi i Berlinit mbështet krijimin e një tregu të përbashkët rajonal të bazuar në katër liri. Të 6 vendet janë pjesë dhe e mbështesin plotësisht këtë proces. Vetëm disa liderë mbështesin alternativën e Ballkanit të Hapur! Procesi i Berlinit ka si pjesë të tij BE-në.
Ballkani i Hapur jo! Procesi i Berlinit ka instrumente financiare për të mbështetur projektet e lidhjes.
Ballkani i Hapur jo! Procesi i Berlinit fuqizon procesin e zgjerimit, duke i përshtatur reformat e kërkuara me shpërblimet financiare. Ballkani i Hapur paraqitet si një alternativë ndaj anëtarësimit në BE, duke e tjetërsuar rajonin si një komunitet politik hibrid.
Procesi i Berlinit përmban 6 vendet e Ballkanit Perëndimor në tryezën politike të Bashkimit Europian. Çdo proces që ka BE-në brenda saj përfaqëson vullnetin e vendeve tona. Çdo proces që copëton BE-në përfaqëson frikën politike të liderëve autokratikë për humbjen e pushtetit të tyre! Dëshiroj të përshëndes përkushtimin e qartë të Kancelarit të ri të Gjermanisë së fundmi në rajonin tonë për përshpejtimin e Procesit të Berlinit dhe për rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, jo vetëm për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, por edhe për njohjen reciproke!”, tha Meta.





