Komedia “Ëndrra e një nate vere” e Shekspirit mbrëmjen e 21 qershorit ngjitet në skenën e amfiteatrit antik në Durrës.
E sjellë nga regjisorja Driada Dervishi “Ëndrra e një nate” do të ngjisë në skenë aktorë e njohur shqiptar si Gentian Zenelaj, Amos Zaharia, Romir Zalla, Alesia Xhemalaj, Adelina Muça, Jaho Guma, Andia Xhunga, Mimoza Marjanaku, Sulea Bako, Xhejni Fama, Masrel Rupi, Gjergj Doçi dhe Marvin Tafaj
Realizimi skenografik i është besuar Erti Bejdos ndërsa realizimi i kostumeve, Liria Zahirit dhe Mariana Priftulit.
Një nga komeditë më të hershme të Shekspirit:
E shkruar ndoshta në vitin 1595 ose 1596, “Ëndrra e një nate vere” është një nga komeditë e hershme të Shekspirit, por mund të dallohet nga veprat e tjera të këtij grupi duke e përshkruar si pjesë shoqëruese për ceremoni dasmash. Ndryshe nga veprat e tjera të Shekspirit, “Ëndrra e një nate vere” është një pjesë vërtetë origjinale. Vepra ndahet në disa linja, si dashuria, ëndrra, imagjinata të reflektuara në një mori personazhesh, plot intriga, dashamirësi, magji dhe fantazi. Përmbajtja e veprës përqendrohet në tre ngjarje: përpjekjet dhe përvojat e dy çifteve të dashuruar në një pyll të magjepsur, bota e Mbretit dhe Mbretëreshës së zanave, si dhe një grupi zejtarësh të rëndomtë, që përpiqen të vënë në skenë një pjesë të quajtur “Pirami dhe Tisba” për nder të dasmës së Dukës së Athinës. Hermia është e dashuruar me Lisandrin, por ati i saj kërkon ta martojë me Dimitrin. Për t’i shpëtuar kësaj martese të kurdisur, ajo dhe Lisandri arratisen në pyll. Dimitri i ndjek dhe Helena, që ushqen një pasion të pashpërblyer për të, e ndjek dhe ajo pas. Një katërshe dashurie zhvillohet midis të rinjve kur Paku qerrata luan rolin e Kupidit. Ndërkohë, një grup aktorësh amatorë bëjnë prova të një teatri të dështuar dhe shpejt jetët e tyre ndryshojnë nga veprat e Oberonit dhe Titanias, mbreti luftëtar dhe mbretëresha e zanave. Komedia vjen nesër në mbrëmje në teatrin Metropol, për të vijuar edhe net të tjera në skenë për publikun. Veprimtaria dramatike e Shekspirit u zhvillua në kuadër të teatrit elizabetian dhe ka si kuadër historik mbretërimin e Elizabetës I (1558 – 1603). Kjo epokë njihet dhe si epoka e artë e teatrit anglez. Përkrah teatrit klasik, ky teatër përbën dukurinë më të rëndësishme e më të mrekullueshme për teatrin botëror në përgjithësi. Në këtë periudhë lëvrohen të gjitha llojet e dramatikës me të njëjtin sukses madje pasurohen me elemente të reja.