Hetuesit kanë dyshime se zjarri në pallatin në zonën e Astirit ka qenë i qëllimshëm. Flakët nisën nga një automjet luksoz “Range Rover” që ndodhej i parkuar në garazh. Në vendngjarje kanë shkuar edhe ekspertët anti-eksplozivë të RENEA-s për të verifikuar nëse këtij mjeti iu vendos zjarri me lëndë djegëse apo u shpërthye me lëndë plasëse.
Mësohet se automjeti “Range Rover” është në pronësi të vëllait të biznesmenit dhe ndërtuesit Sino Llanaj, njëherazi edhe pronar i pallatit.
Sino Llanaj është një emër i njohur për policinë dhe i arrestuar më parë. Edhe vetë ishte plagosur me armë një vit më parë në zonën e Astirit për shkak të konflikteve me pronësinë e pallatit.
Nga zjarri në pallat u dogjën 4 makina dhe u lënduan 8 banorë të këtij pallati për shkak të asfiksisë nga tymi.





