Pavarësisht rrezikshmërisë që paraqesin, qentë pitbull shëtisin pa maskë në shëtitoren “Taulantia”.

Siç duket nga pamjet filmike, të marra mbrëmjen e djeshme në shëtitore, 3 qen pitbull shfaqen pa maska përkrah pronarëve të tyre, në një orë kur kjo hapësirë publike është e populluar nga mijëra qytetarë.

Megjithëse tabelat informuese ku njoftohet se qentë nuk duhet të shëtisin të papajisur me maska mbrojtëse nuk mungojnë në shëtitore, pronarët e kafshëve shtëpiake nuk i respektojnë këto rregulla.

Kjo racë qensh mund të përbëjë rrezik për qytetarët, por edhe qentë e tjerë, kur nuk lëvizin me maska në vende publike dhe shumë të populluara.

Jo më larg se 5 ditë më parë, një 66-vjeçar në Itali humbi jetën pasi u kafshua nga dy qen pitbull.

Qentë e mëdhenj të racave rotvajler, pit bull dhe doberman (të cilat konsiderohen si ndër racat më të rrezikshme për njerëzit dhe kafshët e tjera shtëpiake) janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit.

Nuk janë të pakta rastet kur qentë pitbull shëtisin lirisht me të zotët e tyre rrugëve të qytetit, madje i sheh në ambiente publike.