Nga BUJAR QESJA
Një lajmërim në celularin tim, ku shkruhej thjeshtë, ilustruar me një foto:
“Kemi kënaqësinë t’ju ftojmë në ekspozitën fotografike të Gëzim Domit: “Durrës 1982-2022”, tek Muzeu Arkeologjik. 23 qershor, ora 20.00”.
Ngarkesat e punëve nuk të japin shansin, të jesh në dispozicion të njoftimeve të kësaj natyre. Një lajmërim i tillë, kishte ardhë edhe në adresë të gruas time Kostandinës. E njëjta firmë: Gëzim Domi.
Pa hezitim burrë e grua, vendosëm të mos e anashkalonim këtë event të një shoku dhe miku të hershëm. Po bëja një hesap të thjeshtë. Gëzim Domi është i datëlindjes 27 dhjetor 1959. Viti 1982, ku nis pika e parë e referimit të ekspozitës është viti 1982. I bie që Domi ynë të ketë qenë 23 vjeç. Mjaft i ri, për të bërë fjalë për një mjeshtër, që natyra e kishte paisur me një talent të rrallë, me një këndvështrim origjinal dhe që asnjëherë nuk do të mendonte se do të arrinte optimalen.
I veshur me një thjeshtësi të rrallë, ku brenda saj lëvizin energji dhe këndvështrime të panumuruara të vizionit të një qendisësi të fotografive, ky Gëzim Domi do të arrinte në pozicione lakmuese. Ime shoqe Kostandina, ka punuar në fabrikën e duhan cigareve “Telat Noga”, në një kolektiv për të mos u harruar. Vija shpesh ta takoja, pasi ishim në dashurinë e parë.
Takoja mikun tim dhe të tim eti Ali Zallën, që merrej me bibliotekën dhe fotografinë. Në mos gaboj aty ndodhej edhe një aparat. Krejt rastësisht kur ndodhesha një ditë tek Aliu, futet në dhomë një djalosh bukurosh, ku kokën e kishte të qendisur me disa kaçurela që ia shtonin hijeshinë. Përshëndeti me ëmbëlsi dhe doli. Ali Zalla më tha:
-Quhet Gëzim Domi. Një djalë punëtor i jashtëzakonshëm. Nuk kam merak se e lë punën që nesër. Është i rrallë. Është i dhënë shumë pas aparatit fotografik. Pasion dhe vullnet. Sa të kem në dorë do ta ndihmoj.
Pasdite e vonë, e të enjtes. 23 qershor 2022. Sheshi para muzeut arkeologjik, nuk ma do mëndja të ketë patur një rast të ngjashëm, ku të mblidheshin aq shumë njerëz. Dhe trotuaret ishin të zëna. Ishte ekspozita fotografike e Gëzim Domit, duke marrë nga arkiva e tij 40 vjeçare, 200 fotot më bindëse dhe më përfaqësuese. Erdha tek muzeu kur po fliste Gëzim Domi.
Teksa po e dëgjoja, ekrani gjigand i memories m’u çvendos 40 e ca vite më parë, kur ndodhesha në fabrikën e duhan cigareve, në dhomën e thjeshtë të Ali Zallës. Dhe fjalët e Aliut m’u rreshtuan në një kolonë dhe pushtuan kujtesën time:
-Quhet Gëzim Domi Bujar. Një djalë i qetë, kërkues dhe me një pasion pas fotografisë. Nëse vazhdon kështu, nuk mund ta parashikosh se çfarë të ardhme do të ketë.
Dhe do t’i thoja Ali Zallës në parajsën e tij:
-Kishe të drejtë në parashikimin tënd mik. Gëzim Domi yt, u bë edhe i joni, u bë i të gjithëve. Ngrihu i dashur Ali të shikosh, se sa njerëz janë mbledhur, për atë Gëzim Domin që më flisje me shumë respekt. Është bërë i njohur tashmë. Ekspozita e tij është gjigande. Në të është futur brenda një Durrës dhe të gjithë durrsakët ndjejnë krenari për këtë.
Rruga artistike e Gëzim Domit, nuk ka qenë e lehtë. U angazhua me shumë detyra. Punoi në hapat e para në një televizion lokal. Sa i shkonte kamera! Por dashuria e tij e parë ishte dhe mbeti aparati. Brenda saj ishte dhe mbeti zemra dhe shpirti i një artisti të pamjes, që tani na bën krenar të gjithëve, duke na nxitur nëpërmjet fotografive dashurinë e madhe ndaj qytetit më të shtrenjtë në botë, Durrësit. Bukën mund ta harronte pa e konsumuar Gëzim Domi, por nuk mund të ndodhte që aparatin fotografik të mos e kishte me vete.
Pasioni i tij, mbetet në përmasa të paimagjinueshme. Në çdo hap, në çdo sekondë, në çdo minutë, në çdo orë, në çdo ditë, mëndja e tij është tek fiksimi i natyrës së gjallë, i njerëzve në lëvizje, i gjallesave të ndryshme, i një gjethe peme, i një sqepi pëllumbi, i një siluete njerëzore, i një dallge deti, i një pulëbardhe në fluturim, i një skuqje te detit në perëndim, apo në një lindje të një dite të re, në retë që paralajmëronin fortunën, në detin e qetë si bunac duke të transmetuar optimizmin, në rrethinat historike që tregon civilizimin tonë të hershëm, e të tjera pamje vizuale.
Gëzim Domi! Indrit Domi! Besmir Domi! Dion Domi! Dinasti më vete. Dinasti njerëzish për t’u pirë në kupë, që punën e tyre e kanë lidhur me pamjen, me atë që quhet bukuria dhe hijeshia e natyrës dhe e njeriut.
Prekëse pamja e fiksuar ku Gëzim Domi, gjyshi i lumtur e “detyron” nipin e shtrenjtë të fokusohet tek aparati. Dhe përsëri ekrani i memories tundohet, deri në krijimin e një fantazie. Pse jo. Mbase edhe në këtë muze arkelologjik, mund të hapet ekspozita fotografike “Durrësi 2040-2080” i Dion Domit. Dhe njerëzia do të mblidhet, ja kështu si me 23 qershor 2022 dhe do të mundohesh shumë, për të gjetur një vënd bosh ku të strehosh trupin.
Duhet të jesh i lumtur Gëzim Domi, pasi në këtë ekspozitë, ti “ekspozove” edhe punën e mrekullueshme të dy djemve të tu, që i ngjanë të jatit, atij Gëzimi kokëulur, por shumë ëndërrues të Ali Zallës së fabrikës së cigareve. Punë, pasion, djersë e pastër e kulluar, duke rritur pastërtinë dhe bukurinë e paraqitjes së 200 fotove. Dhe siç ke emrin Gëzim, ashtu na ke gëzuar të gjithëve. Na e shtove më shumë dashurinë për Durrësin e vendlindjes, pasi vërtet është i bukur dhe akoma më i bukur, mbetet në fuqinë e talentit tënd të pazbehur, që na e paraqite deri në joshje.
Në këto ditë të nxehta, nga muzeu arkeologjik i qytetit fryn një fllad i lehtë, që të freskon dhe të përkëdhel fytyrën. Nuk jemi në ëndërr. Është freskia e rrallë që vjen nga puna dhe talenti i një mjeshtri të pamjes dhe të fiksimit të historisë.
Është era e magjishme e një mjeshtri, e një miku, e një shoku. Është e re e punës dhe fantazisë së pashtershme, të një puëntori të madh, të një njeriu po të tillë, të një zemre që nuk pushon së menduari për fotografinë.
Është koha që flet për atë, për Gëzim Domin.
Durrës: 24 qershor 2022