Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi dje mbarë opinionin publik, ku një nënë në timon humbi kontrollin dhe ra në lumin Osum, ndërsa humbi jetën bashkë me të birin 6 vjeç.
Sipas BalkanWeb, duke iu referuar burimeve të ekspertëve të qarkullimit rrugor, 25-vjeçarja Klaudia Xhaferaj, kishte vetëm 20 ditë që kishte marrë patentën.

Mësohet se aksidenti është shkaktuar si pasojë e humbjes së kontrollit nga ana e drejtueses së mjetit dhe paaftësia e saj për të manovruar ka bërë që ajo të përfundojë në lumin Osum.
Dje u publikuan edhe pamjet nga momenti i aksidentit tragjik në rrugën ‘Antipatrea’ në Berat, ku në mes të ditës, krejt papritur e reja Klaudja Xhaferaj humbi kontrollin pas një parakalimi me mjetin e saj ‘ML’ dhe pas disa manovrash, theu kangjellat e rrugës dhe përfundoi në lumë.
Ndërsa sipas ekspertizës mjeko-ligjore, vdekja e nënë e bir është shkaktuar nga mbytja, pas një qëndrimi për një kohë të gjatë në ujë.





