Në samitin e Madridit, NATO shpalli Rusinë kërcënimin më të madh ndaj paqes dhe sigurisë së vendeve anëtare, pas sulmit të paprovokuar të Moskës në Ukrainë.

Aleanca vendosi unanimisht të rrisë numrin e trupave të NATO-s në Evropën Lindore si dhe të shtojeë numrin e forcave në gatishmëri të lartë nga 40,000 që janë aktualisht në 300,000 trupa si pjesë e rishikimit më të madh të mbrojtjes së aleancës që nga koha e Luftës së Ftohtë.

Mësohet zyrtarisht se Forcat e Armatosura Shqiptare do të dërgojnë për herë të parë një mision ushtarak në Bullgari, ku në total do të jenë 1650 trupa. Në këtë vend, siç duket edhe nga harta e publikuar nga NATO, do të ketë vetëm trupa vendase, amerikane dhe shqiptare.

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu ka publikuar në llogarinë e saj në Twitter edhe një postim grafik ku shkruan se në përgjigje të pushtimit rus në Ukrainë, NATO ka përforcuar prezencën e saj mbrojtëse në pjesën  lindore të Aleancës më shumë trupa, avionë dhe anije luftarake.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg prezantoi te mërkurën edhe dokumentin e konceptit strategjik 2022. Shefi i NATO-s tha se po përjetojmë krizën më të madhe të sigurisë prej Luftës së Dytë Botërore.

Aktualisht Forcat e Armatosura Shqiptare  janë të angazhuara në misione paqeruajtëse dhe luftarake në disa vende përfshirë edhe Letoninë.

Shqipëria po jep kontributin e saj në Letoni me 21 ushtarakë EOD si pjesë e grup – batalionit kanadez të Prezencës së Përparuar të Përforcuar të NATO (eFP) në bazën Adazi në Riga.

News 24 u interesua pranë Ministrisë së Mbrojtjes për të mësuar numrin e ushtarakëve shqiptarë të cilët do të nisen së shpejti me mision në Bullgari dhe bënë të ditur se do të bëjnë publike së shpejti detaje në lidhje me mision e ri të FARSH si dhe me natyrën e këtij misioni.