Në kuadër të përgatitjeve për të legalizuar kultivimin e kanabisit mjekësor, qeveria ka njoftuar se do të themelojë Agjencinë Kombëtare për licencimin e kompanive që do të merren me këtë veprimtari dhe ka nisur hartimin e ligjeve që do ta rregullojnë atë.

Shqipëria tashmë ka gati dhe draftin e ligjit i cili do të përcaktojë kultivimin e kanabist në mënyrë të kontrolluar dhe vetëm për qëllime mjekësore.

“Agjencia drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e institucionit dhe përgjigjet përpara ministrit përgjegjës për shëndetësinë. Pranë Agjencisë krijohet dhe funksionon Komisioni i Licencave, që kontribuon në ushtrimin e kompetencave të Agjencisë në përputhje me rolin dhe detyrat e tyre, sipas parashikimeve të këtij ligji.  Struktura dhe organika e saj miratohen me urdhër të Kryeministrit.”-thuhet në draft-ligj.

Agjencia ka kompetenca të hatojë kriteret e vlerësimit të aplikuesve bazuar në këtë ligj dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij. Organizon procedurat për dhënien e licencës për kultivimin dhe përpunimin e bimës së kanabisit si dhe prodhimit të nënprodukteve të  saj për qëllime mjekësore. Rivlerëson çdo 3 vjet, përmbushjen e kushteve të dhënies së licencës, sipas të njëjtave kritere të vlerësimit.

Vendimi për të proceduar me krijimin e infrastrukturës ligjore dhe institucionale për kultivimin e bimëve narkotike për shkaqe shëndetësore vjen pas një ankete të administruar nga qeveria socialiste e udhëhequr nga Edi Rama në Shqipëri, në të cilën 61 për qind të qytetarëve që iu përgjigjën thirrjes së qeverisë për t’u deklaruar rreth kësaj dhe çështjeve të tjera, e përkrahën iniciativën.

Nga 500 mijë qytetarë që i janë përgjigjur pyetësorit të qeverisë, 308 mijë kanë mbështetur legalizimin e kultivimit të kanabisit, ndërkohë që 143 mijë e kanë kundërshtuar dhe rreth 50 mijë nuk kanë shprehur ndonjë qëndrim.

Ligji që do ta legalizojë kultivimin e kanabisit në Shqipëri pritet të ketë mbështetjen e shumicës së deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, ndonëse jo pa kundërthënie.

Ndonëse legalizimi i përdorimit vetjak të kanabisit është kundërshtuar nga deputetët e dy partive, deputetët demokratë kanë kundërshtuar legalizimin e kultivimit të tij për shkaqe shëndetësore.

Sipas ligjit të hartuar nga qeveria, licenca për kultivimin do të jepet për 15 vjet për të kultivuar 150 hektarë kompanive që kanë një kapital fillestar prej 100 milionë lekësh dhe përvojë në kultivimin e bimëve mjekësore. Licenca do të miratohet me vendim të qeverisë, me propozim të ministrit të Shëndetësisë.