Stafi i emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” ishte në qytetin e Durrësit për të dëgjuar historinë e çiftit Luga. Dramën e tyre e preku nga afër gazetari i emisionit Ferit Lika.
Dita ishte e ftohtë e me shi. Nënë Hajrija, kthen sytë nga qielli dhe nuk di çfarë të bëjë. Të shkojë në shtëpi, apo të endet rrugëve. Edhe Nuzi, po qëndron këtu jashtë, here-herë shikon nga rruga nëse gruaja po kthehet me ilaçet në dorë.
Por edhe këtë herë ajo nuk i mori dot, pasi bënin shumë shtrenjtë. Të futen brenda është akoma më keq. “Jam një nënë e vuajtur shumë në jetë, unë nuk kam krahë, Jemi të sëmurë të dy. Këtu brenda nuk rrihet, është shumë ftohtë, shtëpia ka lagështirë prandaj nuk jemi mirë ne nga shëndeti, ne mblidhemi në batanije të holla dhe flemë”, -thotë 71 vjeçarja Hajrije Luga.
Ftohtë, lagështirë, myk, mure te çara, tavane të rënë, asnjë mobilje, çatia e rrënuar, këtu nuk ka asgjë. “Nuk kam parë asnjë ditë të mirë më këto shtëpi, del miu poshtë, edhe para tërmetit kështu ne, pas tërmetit më keq u bëmë. Dua ta shikoj këtë shtëpi të rregulluar, kisha një dollap të vogël, u prish, kjo u prish ajo u prish jetë e vështirë, të gjitha më mungojnë, edhe frigorifer nuk kam pasur, lavatriçe nuk kam, lahem me kanaçe gjithë jetën”,-thotë e moshuara.
Tërmeti i nëntorit të kaluar, i dha goditjen përfundimtare kësaj ngrehine. “Është shtëpi 60 vjeçare kjo unë ngela në rrugë të madhe pas tërmetit, ngela në rrugë të madhe”,– thotë e moshuara.
Është kohë dreke dhe dy të moshuarit duan të pushojnë pak, vitet e pleqërisë i kanë lodhur shumë. Nuk kanë me çfarë të ngrohen, zgjidhja e vetme është mbulimi me këtë batanije. “A të marr ilaçet e zemrës a të tensionit. S’kemi as për ilaçe, nuk e kam menduar këtë vuajtje por puna u keqësua, kam vuajtur shumë”,-thotë Sanija.
Sanija shikon nga dritarja, me shpresën se do të vijnë ditë më të mira për të, siç thotë ajo, që këto ditë që na kanë mbetur t’i jetojmë si njerëz. “I lutem Zotit që këto ditë të jetoj dhe të shikoj një ditë të lumtur ta shikoj këtë shtëpi të rregulluar. Të paktën të jetonim këto ditë tamam”,-thotë ajo.
Plagët e dy të moshuarve janë të thella dhe të hershme. Vite më parë, atyre i rrëmbyen nipin 4 vjeçar, dhe që prej asaj dite nuk e panë kurrë më.
“E kujtojnë me mall, rrobat ja kam ruajtur, e kam rritur me sakrifica, i bleja çdo gjë, mamasë ja rrëmbyen, them nuk është gjallë, lutem që të vijë të më përqafojë, e kam peng, djali dhe nusja u shkatërruan fare, djali mori rrugët e mërgimit. Rrugëve shikoj fëmijët e tjerë, e ndjej shumë pasi e kam rritur vetë dhe tani ai nuk gjendet nëse jeton ose jo”,-thotë Sanija.
Organet e drejtësisë nuk dhanë asnjë shpjegim për këtë, diku thanë u gjetën autorët, por jo fëmija, diku asnjëra palë. Ngjarja mbeti mister. Pasojë e kësaj ngjarjeje përveç nipit të humbur, djali i tyre i vetëm nuk u bë më njeri. Humbjen e të birit e përjetoi shumë keq, u largua nga vendi dhe që prej asaj ditë nuk është kthyer më, e për të moshuarit, një tjetër plagë u hap. Ato sot ndihen të vetmuar dhe pa asnjë mbështetje. “Të vetmuar jemi, jemi të sëmurë, dy pleq të vetëm jemi, shtrirë të sëmurë jemi”, thonë njëzëri të dy të moshuarit.
Kanë vetëm njeri tjetrin, dhe Zotin lart në qiell. Drekën e hanë pak vonë, që të jetë më afër darkës, në mënyrë që të konsumojnë vetëm një vakt bukë në ditë. Edhe këtë ushqim, dikush ia ka sjellë një ditë më parë.
Pavarësisht halleve e mundimeve që jeta i ka përplasur, nëna Hajrija nuk harron asnjë herë që të kryejë faljet ditore dhe të lutet. Dhe shpreson, ajo gjithmonë shpreson. /BalkanWeb