Me klubin durrsak së fundmi kanë ndarë rrugët tre futbollistë, Jahmir Hyka, Asion Daja dhe Reuben Akuah.Këtë lajm e ka bërë me dije vetë klubi i Teutës me anë të një komunikate në profilin e saj të rrjetit social “Facebook” duke i falënderuar të tre lojtarët për angazhimin dhe kontributin e dhënë dhe duke i uruar suksese në karrierën e tyre në të ardhmen:

“KF Teuta komunikon mbylljen e bashkëpunimit me futbollistët Asion Daja, Jahmir Hyka, dhe Reuben Acquah. Klubi i falenderon te tre futbollistët për angazhimin dhe kontributin e dhënë me fanellën ‘blu’, duke u dëshiruar shumë fat dhe sukses në karrierën sportive.”

Ekipi ka zhvilluar grumbullimin e radhës, duke vijuar përgatitjet për sezonin 2022-2023.Pasditen e djeshme grupi i lojtarëve ka qenë i plotë në seancën stërvitore, me lojtarët që u panë të përkushtuar, për të qenë gati për sezonin e ri, që nis me 20 gusht.

Stërvitja, e cila u zhvillua në kushte të mira, zgjati rreth një orë. Trajneri Renato Arapi punoi me ritëm të lartë, ndërsa fillimisht skuadra ka zhvilluar ushtrime të ndryshme me përgatitësin atletik Mark Dodaj dhe më pas gjithçka është zhvendosur në punën me top.

Aspekti tekniko- taktik dhe mbi të gjitha ushtrime të ndryshme në veprime ofensive dhe difensive kanë qenë në fokusin e trajnerit të Teutës. Për dy javë, ekipi do të vijojë stërvitjet në qytetin e Durrësit, ku mund të zhvillojë dhe ndonjë miqësore.

Pas datës 17 korrik ekipi pritet të largohet nga Durrësi, për të kryer fazën përgatitore në një vend më të freskët dhe të zhvillojnë sa më shumë miqësore.

Tekniku Arapi duket se është ambientuar mirë me ekipin dhe lojtarët, të cilët reflektojnë frymën dhe grindën që ai u përcjell. Ndërsa kjo është hera e parë që pas ardhjes së tij që trajneri do ta ndërtojë skuadrën sipas ideve të veta.Grupi është i plotë, ndërsa dje lojtarët janë parë në formë të mirë fizike pavarësisht pushimeve të tejzgjatura.