Mbahet sot protesta e thirrur nga Partia Demokratike. Kjo e fundit iu ka bërë thirrje shqiptarëve prej ditësh për të dalë sot, më 7 korrik, në shesh kundër qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, në tubimin që do të zhvillohet para Kryeministrisë në orën 19:00.
Selia blu ka kërkuar leje në Policinë e Tiranës për protestën nga ora 19:00 deri në 21:00, ndërsa është mësuar se në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugën “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark” do të kufizohet qarkullimi rrugor për automjetet prej orës 16:00.
Por përveç masave të marra nga policia për mbarëvajtjen e rendit dhe nga PD për ecurinë e protestës, edhe Kryeministria është hedhur në veprim, duke blinduar dyert e godinës, ashtu siç edhe është bërë zakon në tubimet e mëparshme të opozitës.
Edhe pse ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se protesta do jetë paqësore, duket se nga ana e tij kryeministri Rama ka marrë masat në rast të një eskalimi të mundshëm të tubimit. Për këtë arsye gjatë paradites së djeshme u zhvendos edhe instalacioni “Kërpudha”, që u rindërtua pas dëmtimeve që mori dikur në një nga protestat opozitare.
Ndërkohë, gjatë orarit të protestës, kryeministri Edi Rama ka shumë gjasa që të mos jetë në Tiranë, pasi ai më 2 korrik nga tuneli Skarficës paralajmëroi se do të marrë pjesë më 7 korrik në inagurimin e By Pass-it të Vlorës. Ditën e sotme, protestës pritet që t’i bashkohen demokratë dhe qytetarë edhe nga qarqet e tjera të Shqipërisë.