Prokuroria e Posaçme në një bilanc të publikuar së fundmi për punën e kryer nga kjo strukturë speciale hetimore për muajin qershor ka treguar se sa kallëzime ka pranuar, sa ka regjistruar dhe sa ka vendosur mosfillim hetimi.
Po ashtu, në punën një mujore tregohen paratë e sekuestruara në të gjitha valutat, ndërsa pjesë e raportit mujor të kësaj Prokurorie është edhe numri i kërkesave zyrtare që iu është kthyer përgjigje.
Kështu, raportohet se kjo akuzë dërguar për gjykim 3 procedime penale me 26 persona të pandehur, ku 25 persona i përkasin krimit të organizuar, të ndarë në dy procedime penale dhe vetëm një i pandehur ka përfunduar në gjykatë për veprën penale të korrupsionit.
Sipas SPAK-ut, pas kërkesave përfundimtare të prokurorëve të posaçëm janë dhënë nga Gjykata e Posaçme 5 vendime themeli, janë deklaruar fajtorë 29 të pandehur. SPAK bën të ditur se janë konfiskuar 6 automjete, 82 aparate celular të markave të ndryshme, 6 laptop. Po ashtu, janë sekuestruar 303.800 mijë lekë, 20.074 Euro, 1.005 paund (GBP), 12.000 dollarë, 2200 franga.
Janë paraqitur 12 kallëzime penale, nga të cilat për 5 kallëzime është vendosur mosfillim i hetimeve. Janë regjistruar 7 procedime penale, nga të cilët 2 procedime për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 5 procedime për vepra penale që lidhen me korrupsionin. Janë dërguar për gjykim 3 procedime penale me 26 persona të pandehur, nga të cilat, 2 procedime me 25 të pandehur për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe një procedim me një të pandehur për vepra penale që lidhen me korrupsionin.





