Dy prokurorët e SPAK, Elvin Gogaj dhe Alfred Shehu, të pezulluar nga detyra me një vendim të Gjykatës Administrative të Apelit, do të rikthehen në detyrë.
Përmes një vendimi të marrë sot nga Gjykata e Lartë është rrëzuar vendimi i Apelit Administrativ, e cila e kishte konsideruar të parregullt zgjedhjen e dy prokurorëve.
Gjykata e lartë prishi vendimin e apelit administrata dhe ktheu çështjen për rigjykim për shkelje të rënda procedurale për prokurorët e SPAK.
Kujtojmë se me një vendim të datës 27 maj Gjykata Administrative e Apelit shpalli të pavlefshëm vendimin për renditjen e 3 garuesve dhe emërimin dy prokurorëve Gogaj dhe Shehu. Gjykata ka nënvizuar se vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë është i padrejtë.
Gjykata pranoi padinë e prokurores Sonila Muhametaj ndaj Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Gjykata Administrative e Apelit me shumicë votash pranoi padinë, ndërsa vendosi pavlefshmëri absolute dhe rishikim të garës për 3 kandidatët e SPAK.
Në një reagim, Këshilli i Lartë i Prokurorisë reagoi menjëherë pas këtij vendimi dhe deklaroi se do ta ankimontë atë në Gjykatën e Lartë.





