Grupi i dytë i shoferëve që kanë humbur të gjitha pikët e patentës, ka ngelur në ritestim. Kjo është hera e dytë që drejtuesit e mjeteve që kanë humbur pikët për shkak të shkeljeve rrugore kalojnë në ristetim nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe sërish kanë humbur që të gjithë. Akush nuk e fitoi testin.

Kjo do të thotë që këta shoferë do të duhet të fillojnë autoshkollën nga e para.

“Rrëzohen në ritestim humbësit e të gjitha pikëve të leje drejtimit! S’ka shpëtim përveçse riedukimit! Sot ishte hera e dytë e testimit për norma sjellje, për ata shkelës të rëndë të rregullave të qarkullimit që me aktet e reja në fuqi për të rifituar të drejtën e patentës duhet të regjistrohen nga e para në Autoshkollë e t’i rinënshtrohen testit teori-praktikë! Nga 18 persona të riregjistruar, u paraqitën vetëm 5 dhe që të 5-të u rrëzuan në testin e teorisë, çka i ridërgon ata nga e para në Autoshkollë për t’u ripërgatitur, dhe për t’u riparaqitur për testim brenda një afati 30 ditor (me vetëm 1 mundësi prove)”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Transportit Rrugor.

Këta shoferë kishin marrë patentat që në vitin 1994 e deri në vitin 2019.

“Personat kishin marrë leje drejtimi për herë të parë në vitet: 1994, 2007, 2010, 2014 dhe 2019! Konkluzioni: Respektoni normat e qarkullimit rrugor sepse nëse do t’i humbni të gjitha pikët, do të riktheheni në Autoshkollë dhe më pas nën monitorim të rreptë do të rifitoni patentën vetëm nëse nuk keni mbi 3 gabime në pyetësorin me 30 fjali si edhe nëse kaloni në testin e praktikës! Këtë kohë, angari e kosto mund t’ia shmangni vetes duke u sjellë korrekt në timon e duke mos rrezikuar veten dhe të tjerët në rrugë! Ju jeni problemi dhe po ju jeni zgjidhja”, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.