Bordi i Transparencës ka ndryshuar sërish çmimin e naftës dhe të benzinës, ndërsa çmimi i gazit mbetet i pandryshuar.

Nafta do të shitet me 240 lekë, duke u rritur me 5 lekë nga 235 që ishte vendosur vetëm një ditë më parë.

Edhe çmimi i benzinës është rritur me 6 lekë dhe nga sot do të shitet me 233 lekë, nga 227 që ishte caktuar dje.

“Bordi i Transparencës në datë 8 Korrik 2022, në mbledhjen e radhës vendosi:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 240 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 228 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 233 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 221 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 81 lekë/litër edhe i shitjes me shumicë 69 lekë /litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi datë 8 Korrik ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit. Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë.

Çdo biznes i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti, heqje licence dhe sekuestrim”, thuhet në njoftim.