Kristiano Ronaldo ka shkaktuar polemika në Itali teksa ylli portugez është nisur drejt Dubait për të festuar festat e fundvitit. Lajmi raportohet nga “Gazzetta dello Sport” mëngjesin e sotëm. Ajo çfarë ka ndezur kritikat ndaj portugezit dhe lojtarëve të tjerë të skuadrës është fakti se atij i lejohet të mos futet në izolim.

Edhe pse rregullat e izolimit nga udhëtimet për futbollistët janë hequr, për qytetatët nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Vendimi i fundit i qeverisë italianë urdhëron që qytetarët italianë që kthehen nga udhëtimet jashtë vendit në periudhën 21 dhjetor-6 janar 2021 të futen në izolim.

Por, futbollistët kanë mundësi të përgatiten dhe të stërviten në kushte të veçanta pa qenë nevoja të zbatojnë rregullat strikte të autoriteteve italiane. Fakti që qeveria po vepron me dy standarte ka shkaktuar jo pak pakënaqësi në Itali.

Kujtojmë që gjatë ndeshjeve të Ligës së Kombeve, Ronaldo u infektua me ‘COVID’ kur u largua në shkelje me rregullat e shtetit italian.