Andrea Stasa, 58-vjeçari që akuzohet se i mori jetën babait të tij Dhimitrit, 3 ditë më parë në fshatin Remas të Divjakës është lënë në burg nga Gjykata e Lushnjës.
58-vjeçari ka qenë në gjendje të dehur kur e mbyti me duar të atin, ndërsa prej momentit të arrestimit nga Policia e Shtetit dhe deri më sot në seancën gjyqësore nuk e ka pranuar se e ka kryer ai vrasjen.
“Nuk e kam bërë unë vrasjen, çfarë thoni”, mësohet të jetë shprehur Stasa, teksa dyshohet se gjendja e tij mendore nuk është e kthjellët.
Teksa ka thënë se nuk e pranonte krimin e kryer, 58-vjeçari çuditërisht ka kërkuar në seancë unazën e gishtit, për të cilën thotë se e ka pasur në dorë ditën e arrestimit.
“Ku e kam unazën”, ka thënë i pandehuri, teksa pamja e tij në sallën e gjyqit duke tepër e shkujdesur, me këmishën e zbërthyer.
Ai gjithashtu ka thënë se ditën e krimit ai ka pirë raki me babanë, ndërsa kërkoi edhe gjetjen e autorit të vrasjes së 85-vjeçarit, duke thënë ‘dua drejtësi’, në një kohë kur ai është i akuzuari për ngjarjen e rëndë.
Mësohet se Andrea Stasa do të dërgohet për një vlerësim të shëndetit të tij mendor në autoritetet përkatëse.